E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Kësaj qeveri i kanë rënë të gjitha maskat

Qeveria aktuale po ia kushtëzon vetës rënien e shpejtë dhe rapide. Kësaj Qeverie i kanë rënë të gjitha maskat dhe ne duhet të bëjmë që të bie edhe perdja e kësaj shfaqje makabre. Kështu pohoi Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën në mbledhjen e pestë e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Si gjithnjë: nuk kemi devijuar dhe nuk jemi ndalur ka thënë tutje Kurti.

“Koncepti ynë politik na mban në rrugë të drejtë kurse nismat tona të vazhdueshme na mbajnë aktiv. Kurti tha se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i nevojshëm, i domosdoshëm porse edhe i pashmangshëm. I nevojshëm sepse është çështje interesi, i domosdoshëm sepse është çështje vullneti dhe i pashmangshëm sepse edhe nëse ne heqim dorë nga bashkimi kombëtar, ne kemi fqinjë që nuk do të ndalen me aspiratat e tyre hegjemoniste deri në bashkimin e shqiptarëve. Prandaj, le ta duam shqiptarinë nga vullneti e nga interesi që të mos vie puna ta duam veçse prej zorit”, ka vazhduar Kurti.

Sipas tij, regjimi në Kosovë po egërsohet. Të palarat e tyre po duken, sepse po dalin, sheshit. “Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme sikurse kohëve të fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek (sic.). Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën”.

Pushteti sipas tij në demokraci duhet t’ia vë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo sikurse tash, jo sikurse këtu, t’ua kundërvë shtetin atyre.

“Këta qeveritarë nuk janë në pushtet pse mendojnë apo pse bëjnë. Përkundrazi, këta njerëz janë në pushtet pse s’mendojnë dhe pse dëgjojnë çfarë duhet të bëjnë. Kështu nuk sillen as fëmijët. Nuk është populli i Kosovës fëmijë, por këta politikanë që më shumë me gojë hapur sesa me veshë hapur e dëgjojnë ambasadorin amerikan, Dell, dhe ndërmjetësin e bisedimeve me Serbinë, Cooper”, thotë Kurti.

Sipas tij qeveritarët janë “struktura kriminale që i ka formuar krimi strukturor i pazareve me Serbinë dhe i privatizimeve të egra. Janë me dhjetëra qeveritarë dhe miq të tyre biznesmenë që vetë i kanë paratë për ta blerë Distribucionin e KEK-ut nëse ai na u dashka shitur për 26 milionë euro!”

Qeveria aktuale, sipas Kurtit, po ia kushtëzon vetes rënien shpejtë dhe rapide. “Kjo Qeveri nuk dëshiron dhe as që mund të bie ngadalë. Të gjitha maskat i ka rënë kësaj Qeverie. Ne duhet të bëjmë që të bie edhe perdja e kësaj shfaqje makabër. Pra, maskat kanë rënë. Tash, perdja duhet të bie”, ka përfundua Albin Kurti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›