Francë–Shqipëri, një histori bashkëpunimi ekonomik

Nuk është vetëm një vizitë që shënohet si e para e një presidenti francez në Tiranë. Po kaq të rëndësishme janë marrëdhëniet e reja ekonomike me Republikën e Francës.
Që kanë shënuar e shënojnë një rritje të ndjeshme dhe të gjithanshme. Franca aktualisht renditet si investitori i pestë më i rëndësishëm në Shqipëri dhe me një stok të investimeve mbi një miliard euro, që e vendos në vendin e tetë mes shteteve që investojnë në vendin tonë.
Shqipëria vlerëson ndihmën e qeverisë franceze, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve.
Marrëdhëniet ekonomike kanë pasur një rritje pozitive dhe reflektojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. Por në vizitën e presidentit të Francës, Emanuel Makron, u theksua se bashkëpunimi ekonomik, referuar mundësive potenciale, ka nevojë të gjallërohen dhe të intensifikohen me aksione dhe veprime konkrete.
Aktualisht vlerësohet ndihma e qeverisë franceze për zhvillimin e sektorit shëndetësor, kulturor dhe arsimor dhe së fundmi edhe në sektorin e energjisë së rinovueshme.
Shqipëria, në ndërkohë ofron shumë mundësi që investitorët francezë t’i shfrytëzojnë dhe të rrisin prezencën e tyre në sektorin e prodhimit, energjisë, turizmit, infrastrukturës, bujqësisë dhe në veçanti në fushën e teknologjisë së informacionit.
Modelet e suksesshme të arsimit profesional në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit në Francë, sikundër edhe ato të zhvillimit të qendrave për bizneset inovative dhe start-up, janë me interes të gjerë për Shqipërinë, edhe në kuadër të finalizimit të projektligjit të ri për start-up-et inovative në vend.
Dhe në këta sektorë u vendosën piketa të reja nga vizita e presidentit francez, pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve.
Një udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës, një tjetër marrëveshje mes Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ajo në fushën e kulturës dhe marrëveshja mes ministrive të Brendshme të Shqipërisë dhe Francës ishin risia në këtë bashkëpunim të ri me Francën.
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës ka njohur rritje në vitet e fundit. Prezenca e investimeve franceze në vendin tonë ka pasur një trend rritës përgjatë viteve 2018–2022, duke shënuar vlerën më të lartë përkatësisht 445 milionë Euro në fund të vitit 2022.
Sipas të dhënave, në territorin e Shqipërisë janë aktive 433 kompani me pronësi franceze. Ndër to, 322 kanë kapital 100% të huaj, ndërsa 111 prej tyre kapital të përbashkët.
Gazetar Bardhi Sejdarasi
/ rtsh.al /