Francë, arrestime rebelëve të Grenoblës
Katër persona në qytetin e Grenoblës janë arrestuar për tentativë vrasjeje, pas një përleshjeje në të cilën është hapur zjarr ndaj policisë.
Situata problematike nisi të enjten e kaluar, në orët e vona të natës, pas një shërbimi përkujtimor pas vrasjes së një të dyshuari. Të rinjtë që ndodheshin në këtë ceremoni janë egërsuar duke i vënë zjarrin rreth 60 makinave në të gjithë qytetin që ndodhet në alpet franceze. Veç kësaj janë prishur edhe disa dyqane dhe shtëpi. Ndërkaq, burimet e policisë bëjnë të ditur se kanë bërë pesë arrestime. Ministri i Brendshëm i Francës, Brice Hartefeux, vizitoi vendin ku kanë ndodhur këto trazira dhe u zotua për rivendosjen e menjëhershme të rendit. “Kur unë them shpejt, e kam fjalën menjëherë. Brenda kësaj kohe të shkurtër do të mundim që të qetësojmë situatën dhe ta vëmë nën kontroll. Në këtë vend ka një realitet shumë të thjeshtë dhe të qartë: nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë, që episode të tilla të dhunës të vënë në dyshim forcën dhe fuqinë e autoriteteve. Situata në orët e vona të natës është qetësuar, por ky shpërthim i dhunës vuri në alarm edhe Presidentin francez, Sarkozi. Kjo ngjarje e rëndë ka evokuar ato që ndodhën në periferitë franceze në vitin 2005, kur qeveria e atëhershme u vu në vështirësi për javë të tëra nga kryengritja e emigrantëve që kërkonin kushte më të mira jetese. Në atë kohë, Sarkozi ishte ministër i Brendshëm dhe e mori në dorë vetë zgjidhjen e situatës, duke u treguar i ashpër dhe madje duke i cilësuar emigrantët si “rebelë”. Që nga ai vit nuk ka pasur më trazira dhe ndodhitë e dy netëve të fundit kanë qenë të parat e këtij lloji.