Isadora Duncan: Balerina që pikëtakoi Shqipërinë
Promovohet në Paris “Santa Quaranta” i autorit Luan Rama, kushtuar historisë se si erdhi dhe e përjetoi Shqipërinë e vitit 1913, balerina e famshme Isadora Duncan. Balerina dhe koreografia e njohur e fillimitshekullit XX, gruaja që revolucionarizoi baletin modern, pas humbjes së dy fëmijëve të saj qëndroi në Sarandë për disa muaj. Aty u njoh me Shqipërinë dhe gjendjen e mjeruar të popullit, ku kërkoi të jepte ndihmën e saj.
është quajtur edhe një lloj fenomeni natyror që erdhi në jetë e u bë e njohur në fillim të shekullit XX. Isadora Duncan ishte një nga ato gratë e rralla, të cilat bëhen pjesë e historisë pa u imponuar, por vetëm për faktin e thjeshtë se e meritojnë. Për këtë balerinë e koreografe të madhe të fillimshekullit të shkuar, ditët e para të muajt korrik është mbajtur një konferencë, ku është promovuar edhe “Santa Quaranta”, libri i shkrimtarit, gazetarit e studiuesit Luan Rama. Përmblidhet aty një pjesë jo shumë e njohur e jetës së balerinës, një pjesëz që lidhet ngushtë me Shqipërinë, më shumë akoma me Sarandën. “Santa Quaranta” i kushtohet historisë se si erdhi dhe e përjetoi Shqipërinë balerina e famshme në vitin 1913, në kaosin ballkanik dhe shqiptar, fill pas pavarësisë. “Me prezantimin e tij mbi balerinën dhe koreografen e famshme të fillimit të shekullit XX, shkruhet në sitin e Shoqatës “Albania” në Paris, Luan Rama i zbuloi auditorit përvojën që Isadora Duncan përjetoi në jug të Shqipërisë, në Sarandë”. Në fund të kësaj konference, e cila u shoqërua edhe me fotografi e krijime të ndryshme figurative rreth balerinës, të bërë të njohura nga autori Luan Rama, disa tekste të shkëputura nga romani “Santa Quaranta” u lexuan nga Boris Dino.
Zbulimi i Shqipërisë, 1913“është rastësia që e solli Isadora Duncan të jetojë disa muaj në Shqipëri, në Santa Quaranta, Saranda e sotme”, kështu shprehet Luan Rama, i cili studioi e mblodhi të dhëna mbi kohën kur Isadora qëndroi në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1913, atëherë kur ajo përgatitej të interpretonte “Ifigjeninë” e Gluck-ut në teatrin e “Chatelait” në Paris, u godit nga një tragjedi akoma më e tmerrshme se ajo që do të interpretonte në skenën e atij teatri. Dy fëmijët e saj, viktimë e një aksidenti automobilistik, u mbytën në Senë. Jeta artistike u ndërpre menjëherë. I vëllai Raymond Duncan, (një intelektual dhe njohës i Epirit dhe Greqisë antike, por edhe i Shqipërisë), i cili jetonte në Korfuz bashkë me gruan e tij Penelopën, i kërkoi që ajo të shkonte me ta në brigjet e Korfuzit, në Santa Quaranta, për të lehtësuar dhimbjen e madhe të saj. “Nuk jam më e nevojshme për asgjë… po pres veç vdekjen”, i thoshte Isadora të vëllait. “Ti s’ke të drejtë të flasësh kështu, ia kthente Raymond. “Pa mendo njëherë ata të mjerë në Santa Quaranta, ku nënat mbajnë në duart e tyre veç fëmijë të uritur. Turqit u kanë vrarë burrat dhe vëllezërit, u kanë djegur shtëpitë, u kanë vjedhur bagëtinë. Dhe ti s’mund të qëndrosh indiferente ndaj një tragjedie të tillë dhe të qash vetëm dhimbjen tënde. Atje duhen shpëtuar jetë njerëzish. Ata kanë nevojë për ty”, i thoshte ai për t’i dhënë forcë. Në një letër dërguar nga Korfuzi një mikes së saj, Elena, Isadora shkruante: “Bashkë me vëllain tim Raymond, ne shkuam nëpër malet e Epirit, duke ecur 50 milje në ditë dhe duke fjetur në qiell të hapur, duke menduar e qarë për ata njerëz, në vend që të isha në një dhomë e të mendoja për ju. Ne vizituam qindra fshatra të djegur nga turqit; pamë ata njerëz të mjerë me shtëpitë dhe të korrat e shkatërruara. Nëse dikush nuk i ndihmon, ata do të vdesin nga skamja. Po përpiqem të ngremë disa streha për fëmijët. Ne do të kthehemi javës tjetër. Ah ata fëmijë, me ata sy aq të trishtë e të dëshpëruar dhe ato gra që s’kishin ç’t’u jepnin”. Më pas, një mikut të saj artist, Isadora i shkruante: “Vëllai im Raymond dhe Penelopa pa pasur asgjë me vete u nisën më këmbë për në Epir. Shkojnë drejt Janinës. ç’kurajo! Mendojnë të kthehen pas një jave dhe do të më tregojnë për gjendjen e saktë në të cilën ndodhen njerëzit dhe ai vend. Pastaj, përmes një thirrje, ne do të përpiqemi të mbledhim fonde në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të mjerë. ç’mendon ti? Thuhet se janë një mijë familje që po vdesin urie. Dua të shkoj edhe unë që në një lloj mënyre t’i ndihmojmë ata fëmijë. Nëse Paris Singer mund të vijë, do të ishte më thjesht, por edhe vetëm do mund të bëja diçka. Këtu më thonë se janë peizazhe të njohura e të mrekullueshme. Do ëndërroja të ngrija atje një shkollë danci, një vend ku të mblidheshin artistët... Po pres kthimin e Raymond-it dhe do t’u shkruaj. Në vend që t’u shkruaj këto fjalë boshe me frëngjishten time të keqe, do të doja t’u dërgoja pamjen që kam përballë dritares, me hapësirën që hapet ballë detit. Përballë mund të shohësh deri tutje te malet, të cilët duken sikur përkunden në të kaltërtën midis tokës e qiellit, si në një imazh të “Tokës së Premtuar”. Ndonjëherë, duke admiruar këto imazhe, mendoj se ndoshta kam vdekur bashkë me fëmijët dhe se bashkë me ta kam hyrë në Parajsë. I ndiej shumë pranë meje. Dhe pastaj më kap dhimbja e tmerrshme fizike. Sytë e mi nuk do t’i shohin më ata. Duart e mia nuk do t’i prekin kurrë duart e tyre. Ende më shfaqen ato duart e tyre të dashura e të mjera që më përshëndesin nga makina që i mori me vete. E unë dua të klith nga dhimbja. Por në fakt është jeta vetë që vuan...”, kështu ka shkruar Isadora Duncan gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri.
Jeta e përditshme midis Sarandës dhe KorfuzitVëllai i saj, Raymond, shkonte shpesh në pazarin e Korfuzit. Një ditë, ai pati idenë të blejë thasë me lesh për t’i sjellë në Santa Quaranta e për të ngritur një avlëmend për të punuar qilima. Në qytezën e mjerë ai vendosi një afishe: “Kush do të tjerrë lesh, do të marr një dhrahmi në ditë”. Një rresht i madh grash u krijua menjëherë. Më vonë, Raymond-i shkoi përsëri në Korfuz. Ai u kërkoi karpentierëve t’i bënin një tezgjah të madh. Për modele Raymond-i kopjoi vizatime nga vazot e lashta të antikitetit. Buzë detit gratë punonin nën ritmin e këngëve. Këto mbulesa e qilima të mrekullueshme, ai i dërgoi në Angli, në Londër, dhe me paratë e fituara ndërtoi një furrë buke që njerëzit të kishin bukë e të mos prisnin t’u vinte nga Korfuzi. Isadora Duncan kujtonte në kujtimet e saj: “Shqipëria ishte një vend i çuditshëm e tragjik. Atje është altari i parë i ngritur për Jupiterin, hyjninë e rrufeve, pasi dhe në dimër dhe në verë ka stuhi e rrebeshe. Me paratë që fitonin, ato gra të mjera blinin misrin që qeveria greke e shiste në port. Në Sarandë unë isha dëshmitare e shumë skenave tragjike. Një ditë, një nënë ishte ulur rrëzë një peme me foshnjën e saj në krahë dhe tre-katër fëmijë të tjerë të vegjël i ngjiteshin rrotull, të uritur dhe pa mbrojtje. Shtëpia e tyre ishte djegur. I ati dhe i vëllai i saj ishin vrarë nga turqit, bagëtinë ua kishin vjedhur, prodhimet bujqësore ua kishin shkatërruar. Ajo nënë e mjerë kishte ngelur e vetme me fëmijët që i kishin mbetur. Pikërisht për këta fatkëqij Raymond-i shpërndante thasë me patate. Në kampin buzë detit ne ktheheshim të dërrmuar nga lodhja. Por një lumturi e habitshme më depërtonte gjithë qenien. Fëmijët e mi kishin ikur njëherë e përgjithmonë, por tashmë kishte të tjerë fëmijë që vuanin dhe kishin uri. A nuk duhej të jetoja për ta?”. Në një intervistë dhënë një gazetari amerikan që takoi Isadora-n në Sarandë në vitin 1913, ndër të tjera, ajo kishte thënë: “…Raymond-i bisedoi me ne rreth idesë së tij për ngritjen e një shkolle, e cila do të ishte rrjedhojë e kësaj pune. Atëherë u thirrën zdrukthëtarë që përgatitën banka e dërrasa klase, si dhe artizanë që ngritën tenda për ato gra, duke mësuar që dhe ato të mund t’i ngrinin. Shpejt, një qytezë çadrash u shfaq papritmas mbi kodrinë. Përpjekjet tona dhanë si pasojë një shembull të mirë vlerash në këtë zonë të mrekullueshme, por dhe primitive, ku nuk ekzistonin shkolla dhe ku turqit, në ikje e sipër, i kishin djegur fshatrat dhe fushat e mbjella. Me vëllain tim, ne vizituam të paktën mbi 40 fshatra, ku gratë e fëmijët janë tashmë pa bukë dhe ushqimin e nevojshëm për të jetuar… Por ndërkohë, ne konstatuam gëzimin e përgjithshëm të njerëzve se pushtimi turk kishte marrë fund”. Në kthimin e saj në Paris, vite me radhë ajo do të ruante me dashuri imazhin e atyre grave të Sarandës, që aty buzë detit Jon, duke kënduar, tirrnin cohat e bardha. Frynte gjithnjë një fllad i lehtë. Një anije shquhej tutje në transparencën e qiellit të mëngjesit. Ajo shkruante: “Kur shëndeti im u përmirësua dhe forcat më erdhën përsëri, jeta mes refugjatëve m’u bë e pamundur. Ka një diferencë të madhe midis jetës së një artisti dhe jetës së një shenjti. Jeta e artistit po zgjohej tek unë. Ndieja se ishte e pamundur që me mjetet e mia të përballoja atë dallgë mjerimi që kishte pushtuar refugjatët shqiptarë... Një ditë ndjeva se duhej ta lija këtë vend dhe t’i braktisja ato male, ata shkëmbinj të mëdhenj dhe stuhira. Penelopës i thashë: “Nuk mund ta shoh më këtë mjerim...”.
#