Tragjedia, forcohet pista e turbulencës
Bien poshtë dyshimet për gjendjen shëndetësore të drejtuesit të autobusit, që u aksidentua, duke sjellë vdekjen e 14 personave dhe për policinë mbetet e dyshimtë vetëm pista e turbulencave ajrore. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili në një prononcim për mediat, deklaroi se një rrebesh i papritur ka shkaktuar aksidentin. Megjithatë, aktualisht i vetmi version zyrtar i hetimeve ka të bëjë me humbjen e kontrollit të mjetit nga drejtuesi, i cili ndërroi jetë pak orë pasi u soll në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por nuk dihet se nga çfarë shkaku ka ardhur kjo tragjedi.
Hetimet për shoferinNga hetimet e deritanishme dhe kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar dhe drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim. Grupi hetimor, deri dje, ishte në pritje të ekspertizës mjekoligjore për drejtuesin e mjetit për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të tij, në momentin e drejtimit të mjetit, pasi dyshonte se ai mund të ketë pasur ndonjë gjendje të fikëti, para se të ndodhte aksidenti dhe ka humbur drejtimin e mjetit. Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk rezulton që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit. Ndërsa dje ka nisur marrja në pyetje e të dëmtuarve nga ky aksident, ku janë 12 të plagosur, dëshmitë e të cilëve pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e ndodhjes së aksidentit.
Rrugët dhe mjetiGjithashtu, dje, është kontrolluar edhe sistemi i drejtimit të mjetit, që rezulton se ka funksionuar normalisht. Veç këtyre fakteve, policia ka kontrolluar me ekspertët përkatës edhe gjendjen e rrugëve, e cila ishte e rregullt. Ndërsa nga pyetja e dëshmitarëve nuk rezulton të ketë pasur mjet tjetër në momentin e ndodhjes së aksidentit. Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë i kryesuar nga prokurori i Rrethit të Pukës, ka konkluduar se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Zef Mark Frroku (Gjergji).
Kreu i policisëNga grupi hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident. Por, ende nuk është gjetur shkaku që çoi shoferin të humbte kontrollin e mjetit. Për këtë, Burgaj është shprehur mbi një rrebesh të papritur që mund të ketë bllokuar fushëpamjen. Kjo hipotezë ka të bëjë me turbulencë ajrore, që ka ndodhur njëkohësisht në Tiranë dhe në Elbasan. Në vijimësi, policia pritet të bëjë me dije ecurinë e hetimeve të kryera nga grupi hetimor për këtë aksident të rëndë. Edhe pse policia ka mundur të mbledhë disa deklarata nga të plagosurit që janë përmirësuar pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ata nuk kanë mundur të tregojnë diçka konkrete mbi këtë aksident. Sipas të mbijetuarve, asnjë nuk ka mundur të shohë se çfarë po ndodhte, pasi kanë qenë përgjumësh dhe janë vënë në alarm, vetëm kur ka dalë nga rruga goma e parë e autobusit. Në atë kohë, të gjithë të alarmuar janë munduar të shpëtojnë veten, por shumica e tyre janë moshë e vogël dhe nuk dinë çfarë të rrëfejnë, për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
#