Francë, gjenden trupat e pasagjerëve të “Air France”

Pas gjetjes së pjesëve të avionit të “Air France” të rrëzuar mbi oqean thuajse dy vjet më parë, ekspertët kanë gjetur edhe trupat e njerëzve që humbën jetën nga ky aksident ajror. Sipas zyrtarëve francezë, brenda pak javësh specialistët mund të fillojnë të nxjerrin trupat e viktimave të shkaktuara nga rrëzimi i avionit në Oqeanin Atlantik, në vitin 2009. Të dielën, pas shumë kohësh, robotët nënujorë më në fund nxorën një pjesë të madhe të avionit mbi sipërfaqe. “Kutitë e zeza” të avionit ende nuk janë lokalizuar por hetuesit kanë shprehur pritshmëri të larta se do t`i gjejnë. Avioni u rrëzua në Oqeanin Atlantik duke provokuar edhe vdekjen e 228 pasagjerëve dhe personelit. Edhe pse kanë kaluar thuajse dy vjet nga aksidenti, ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e aksidentit. Disa pjesë të avionit u gjetën menjëherë pas aksidentit, megjithatë tentativat për të gjetur trupin e plotë të avionit, ishin plotësisht të pasuksesshme. Gjithësesi tentativa e katërt, në të cilën u përdorën robotë që operonin deri në 4 mijë metra nën sipërfaqen e Oqeanit Atlantik, arritën të zbulonin një pjesë të rëndësishme të avionit.
Ministrja franceze e transporteve, Nathalie Kosciusco-Morizet theksoi për gazetarët se “faza që përfshin nxjerrjen e avionit mbi sipërfaqe mund të zërë vend brenda tri javëve ose një muaji”.
“E kam fjalën për nxjerrjen e avionit dhe po ashtu e kam fjalën për nxjerrjen e trupave të viktimave, duke qenë se trupat janë lokalizuar brenda avionit. Këta trupa do të nxirren dhe do të identifikohen”, theksoi Nathalie Kosciusco-Morizet. Personat që kanë humbur jetën në tragjedinë më të madhe në historinë e “Air France” vinin nga 30 shtete, shumica nga Franca, Brazili dhe Gjermania. Avioni u rrëzua në mënyrë enigmatike pak pasi ishte ngritur nga Rio de Zhaniero me 1 qershor të vitit 2009.