Francë, masakrohet familja britanike
Dy vajza të vogla kanë arritur të mbijetojnë; njëra ka qëndruar për 8 orë poshtë kufomave, tjetra është plagosur
Një masakër e vërtetë ka ndodhur mbi një familje britanike në zonën e Alpeve franceze, pranë liqenit të Anesisë: tre persona janë gjetur të vrarë brenda një makine tip BMW me targa angleze, një tjetër i shtrirë pa jetë pak metra më tutje dhe një vajzë 10-vjeçare ndaj të cilës janë zbrazur të paktën tre plumba, që ka arritur të mbijetojë dhe është dërguar për ndihmë mjekësorë në spital.
Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në zonën e Chevaline, një vend i preferuar për kamping nga shumë turistë, ndërsa policia, e cila kishte rrethuar vendin e ngjarjes, gjeti pas 8 orësh edhe një vajzë të vogël vetëm 4-vjeçare, e cila ishte e gjallë pasi kishte mundur të fshihej poshtë kufomave të dy grave, që paraprakisht mendohet se mund të jenë nëna dhe gjyshja e saj.
Familja britanike mendohet se ishte me pushime në kampingun e Saint Jorioz, pranë liqenit Anesi, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna për identitetin e tyre apo rrethanat dhe dinamikën në të cilën është zhvilluar ngjarja, që ka shokuar gjithë komunitetin e zonës. Me rëndësi për policinë mendohet të jetë dëshmia e 10-vjeçares së plagosur, e cila ka përjetuar të gjithë skenën e krimit makabër dhe do të përbëjë një element kyç për të zbardhur ngjarjen.
6 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Francë, masakrohet familja britanike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip