Francë, një nënë vrau tetë foshnjat e saj
Mund të jetë ndoshta një nga pohimet më të dhimbshme dhe më çnjerëzore të bëra ndonjëherë nga një nënë, e cila ka pranuar se ka vrarë tetë foshnjat e saj të sapolindura, duke i fshehur më pas trupat e tyre në kopsht dhe në garazhin e makinës. Kjo grua është akuzuar menjëherë për vrasje në prokurori.
Dominique Cottrez, 46 vjeçe, me profesion ndihmësinfermiere, tha se pas një përvoje të keqe që kishte pasur në shtatzëninë e parë, ajo nuk kishte dashur kurrë më që të përballej me një mjek. Kështu ka rrëfyer se si i kishte sjellë vetë në jetë foshnjat e saj dhe pasi i kishte mbytur, i kishte futur trupat e pajetë në qese plastike. Dy prej tyre i kishte varrosur në kopsht dhe të tjerat në garazhin e makinës. Sipas prokurorit që është marrë me këtë çështje shumë ekstreme, gruaja nuk ka dashur që të sillte në jetë më fëmijë pas një përvoje të vështirë që ka pasur në fillim dhe nuk donte që të shihte më doktorë me sy apo edhe të merrte kontraceptivë për t’u ruajtur nga shtatzënitë e padëshiruara. Po sipas prokurorit, ajo ishte e vetëdijshme gjatë gjithë kohës se ishte shtatzënë. Cottrez dhe bashkëshorti i saj janë burgosur natën e së mërkurës, pas zbulimit të dy trupave të pajetë të foshnjave të vrara që ndodheshin në qese plastike të varrosura në kopsht në shtëpinë që i përkiste babait të ndihmësinfermieres në veri të Francës. Gjatë marrjes në pyetje, gruaja ka pohuar menjëherë se kishte vrarë edhe 6 foshnja të tjera menjëherë pasi i kishte sjellë në jetë dhe se i kishte futur në qese të zeza dhe i kishte fshehur jo më në kopsht, por në garazhin e makinave në shtëpinë e saj. Gruaja vazhdon që të qëndrojë e izoluar në burg dhe ndërkohë do t’i nënshtrohet testeve psikiatrike. I shoqi është lënë i lirë dhe nuk është akuzuar për vrasjet, edhe pse vazhdon që të jetë nën vëzhgim dhe në dispozicion të drejtësisë. Ai pretendon se nuk dinte asgjë për veprimet e së shoqes dhe për shtatzënitë e saj. Ajo është shumë shëndoshë nga natyra dhe në këtë mënyrë e kishte shumë të lehtë që të fshihte fryrjet e barkut. Por nëse do të dalin të reja të tjera, ai mund të akuzohet për fshehje të krimit dhe të viktimave. Ndërkohë çifti ka edhe dy vajza të rritura që janë në të 20-at dhe ato janë marrë gjitha të pyetje, por prokurori ka refuzuar që të japë detaje të mëtejshme. Burimi është bërë lajmi kryesor jo vetëm për median franceze, por edhe për ato të së gjithë botës që janë tronditur nga një rast i tillë i rëndë dhe shumë mizor. Policia ka vulosur shtëpinë ku jetonte çifti, ku u gjetën edhe trupat e foshnjave të tjera të fshehura në garazh.
Ndërkohë do të bëhen teste për të zbuluar nëse fëmijët janë të çiftit, apo jo si dhe do të kryhen autopsi për të përcaktuar edhe shkaqet e vdekjeve. Vitet e fundit, Franca është tronditur disa herë nga raste të tilla historish makabre të krimit familjar dhe më saktë të nënave që vrasin foshnjat e sapolindura. Më 15 mars, një grua u dënua për një rast të tillë, por me gjashtë fëmijë të mbytur pas lindjes.
#