Paratë e rmave rentiere, në gjashtë vende të Europës
Miliona USD, kursime të shqiptarëve gjatë viteve 1990-1997, të depozituara në firmat piramidale dhjetëra vite me parë, janë transferuar në Greqi, Turqi, Itali, Hungari, Austri dhe Zvicër. Përpjekjet diplomatike të qeverive shqiptare kanë dështuar, ndërsa tashmë është hedhur ideja se paratë mund të mbërrijnë në mënyrë ligjore, duke kontaktuar në vendet respektive ekspertë ligjorë, ose më mirë “sekserë”, të cilët, sipas vendimit më të fundit të qeverisë, do të marrin 15 për qind të shumës që do të sjellin në Shqipëri. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha për gazetën “Shqip” se ka marrë kontakte me një studio ligjore greke, ndërsa po shikohet mundësia e riatdhesimit të parave nga shtete të tjera, si Turqia, Hungaria dhe Zvicra, ku shumë prej krerëve të firmave piramidale kanë transferuar kapitalet dhe kanë jetuar për një kohë të gjatë.
Ka dyshime të konfirmuara se firmat rentiere “VEFA”, “Gjallica”, “Xhaferri”, “Populli” “Cenaj & Co” kanë dhjetëra miliona USD në bankat e gjashtë shteteve të Europës. Sipas administratorëve të fajdeve, megjithëse janë evidentuar shumat me anën e transaksioneve, nuk mund të realizohet transferimi i tyre, pasi Shqipëria nuk ka ratifikuar Konventën Europiane për Pastrimin, Depistimin, Kapjen dhe Konfiskimin e Produkteve të Krimit. Sipas informacioneve, dhjetëra miliona USD të firmës “VEFA” janë transferuar në Greqi dhe Hungari. Gjatë proceseve penale gjyqësore ndaj bosëve të piramidave “Cenaj”, “Xhaferri”, “Populli”, “Sude”, prokuroria dispononte dokumente që vërtetonin se janë kryer dhjetëra transferta parash në banka të huaja, konkretisht në Greqi, Turqi, Itali, Hungari, Austri dhe Zvicër.
Nga një llogaritje e personave që janë marrë me piramidat rezulton se mund të jenë rreth 60 milionë dollarë të transferuar. Nëse të gjitha institucionet shqiptare do të kishin lëvizur me kohë, atëherë shuma mund të ishte dyfishuar. Krahas shtetit grek, me të cilin shteti shqiptar ka lidhur marrëveshje për transferimin e rreth 15 milion USD, Grupi Mbikëqyrës i Firmave Piramidale ka në dispozicion dokumente që vërtetojnë se i njëjti fenomen ka ndodhur edhe me shtetas italianë, turq, austriakë apo hungarezë, të cilët kanë nxjerrë nga vendi gjatë trazirave të vitit 1997 miliona dollarë.
Për firmën “Gjallica”, akuza ka konfirmuar se dhjetëra milionë USD të kësaj firme janë transferuar jashtë shtetit, ndërsa miliona të tjera janë përdorur për qëllime “bamirësie”. Shpeshherë, prokuroria shqiptare i ka kërkuar ekzekutivit të hartojë ligje dhe të nënshkruajë konventa jo vetëm me Greqinë, por edhe me shtetet e tjera ku dokumentohet se janë transferuar para të firmave piramidale. Por, ende një pjesë e mirë e këtyre transfertave vazhdojnë të jenë në formën e llogarive bankare, ndërsa në disa shtete, pas kalimit të viteve, depozitat mund të jenë kthyer në pasuri të paluajtshme.