OKB: Rezoluta e Serbisë për Kosovën, e papranueshme
Rezoluta që Serbia dorëzoi për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca e kanë cilësuar të papranueshëm tekstin e rezolutës, pasi në të thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin “dialog për të gjitha çështjet e hapura”. Sipas këtyre shteteve, të cilat kanë mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, në fakt duhet të bëhet fjalë për “bisedime për çështje teknike” e jo për “të gjitha çështjet e hapura”. “Duhet të specifikohet qartë, pasi për Serbinë çështje e hapur është edhe ajo për statusin, ndërkohë që ne vlerësojmë se Kosova është shtet sovran e i pavarur dhe se nuk mund të ketë bisedime për statusin e saj”, shkruan e përditshmja serbe “Blic”, duke iu referuar një diplomati të huaj të mirinformuar. Sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, me anë të rezolutës që Beogradi dorëzoi dje, i propozohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së qëndrimi i palës serbe rreth mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mediat serbe bëjnë me dije se anëtarët kryesorë të BE-së këmbëngulin që në tekstin e rezolutës të saktësohet se bëhet fjalë vetëm për “bisedime teknike mes Beogradit dhe Prishtinës”, të cilat ato vetë i përkrahin. Pavarësisht veprimeve të Serbisë, Kosova planifikon që në vjeshtë, përmes aleatëve të saj, ta paraqesë një rezolutë të veten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të cilën do të prezantohet qëndrimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Tashmë është përmendur rezoluta që do të paraqesin bashkërisht SHBA-ja dhe Shqipëria. Deri tani, shteti i ri është njohur nga 69 shtete, ndërkohë synohet që ky numër të arrijë në 100 para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
#