E Diel, 1 Nëntor 2026

Francesco Purromuto zgjidhet president i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Francesco Purromuto është zgjedhur president i ri i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Zgjedhja e tij u bë gjatë Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të ICMG, të zhvilluar në qytetin e Tarantos, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 26 Komiteteve Olimpike Kombëtare anëtare.

Purromuto merr drejtimin e ICMG pas ndarjes nga jeta të presidentit të mëparshëm, Davide Tizzano. Në nderim të tij, gjatë punimeve të Asamblesë u mbajt një minutë heshtje.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm për sportin mesdhetar morën pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.

Gjatë qëndrimit në Taranto, presidenti i KOKSH zhvilloi takime me homologë nga 26 vendet anëtare të ICMG, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Zgjedhja e Purromutos vjen në prag të nisjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive të rajonit mesdhetar.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›