Fratini: Liberalizim vizash për Ballkanin
Bashkimi Europian do të liberalizojë së pari vizat për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe sigurisht pa harruar edhe Shqipërinë dhe Bosnie Hercegovinën. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. Shefi i diplomacisë italiane, pati një takim me homologun e tij rumun, Kristian Diakonesku. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Fratini tha se Italia dhe Rumania ndajnë të njëjtat ide lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke theksuar kështu, mbështetjen për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian. I pyetur lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ministri i Jashtëm rumun tha se çështja do të diksutohet në një takim me Italinë dhe Serbinë, që do të mbahet në vjeshtë të këtij viti. Pritet që pasditen e sotme, shefi i diplomacisë italiane, të takohet edhe me kryeministrin rumun, Emil Bok si dhe me biznesmenë italianë që punojnë në Bukuresht.