E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shqyrton ankimimin e Partisë Socialiste

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur diskutimin për kërkesën ankimore të paraqitur nga ana e Partisë Socialiste. PS kërkon pavflefshmëri të procesit zgjedhor dhe rivotim në 284 qendra votimi, pasi sipas saj, ka mospërputhje të numrit të votuesve me numrin e votave të gjetura në kutitë e votimit gjatë numërimit që bëri KQZ.

Në vijim të mbledhjes së tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u njoh me relatimin e kreut të këtij komisioni. Gjatë relatimit të bërë për ankimimin e Partisë Socialiste, relatori i saj Arben Ristani kërkoi rrëzimin e çështjes për dy arsye, mungesë kompetence dhe ezaurimin e afatit ligjor të ankimimit.

Kreu i KQZ-së Arben Ristani deklaroi se kërkesa e PS-se për pavlefshmëri është jashtë afatit duke e arsyetuar me vendimin se tashmë kanë kaluar afati tre ditor. Më tej, Ristani theksoi se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përmbushur detyrën si KZAZ në datën 23 maj.

Ndërkaq, në vijim të këtij qëndrimi reagoi përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Genci Gjonçaj duke thënë se kjo vonesë mund të jetë shkaktuar për faktin se KQZ nuk informoi për vend-ankimimin.

 Ditën e shtunë, Komisioni i Zgjedhjeve miratoi tabelën përfundimtare të kryeqytetit, duke e rishpallur fitues kandidatin e “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha me 93 vota më shumë se kandidati i “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›