Freedom House: Shqipëria në vendin e 96-të. Nevojiten më shumë reforma ligjore dhe ndërhyrje politike
Organizata Freedom House nxori sot indeksin për lirinë e shtypit në botë, ku Shqipëria dhe Kosova përsëri radhiten në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë. Sipas raportit të publikuar nga Zëri i Amerikës, Shqipëria ka shënuar përparim, ndërsa Kosova ka shënuar një hap prapa. Rezultati i Shqipërisë është 49, dy pikë më lart nga 51 vitin e kaluar, në një shkallë ku 0 është rezultati më pozitiv dhe 100 më negativi. Për sa i takon renditjes së vendeve, Shqipëria është e 96-ta mes 197 vendesh, në krahasim me vendin e 107-të të vitit të kaluar. Rezultati për Kosovën është po 49, por në renditjen e vendeve është e 102-ta në krahasim me 98 vitin e kaluar.
Drejtoresha e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka sqaruar se në renditjen e këtij viti është vërë re një përmirësim për Shqipërinë. Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive që kemi vënë re është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën legale. Mendoj se kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias, tha ajo.
Pyetjes se cilat janë sfidat kryesore për median në Shqipëri, Karlakar i është përgjigjur se:Ka klauzola ligjore dhe rregullatorë që ende nuk përputhen me standardet ndërkombëtare, megjithëse siç e thashë eliminimi i dënimit me burg për shpifje ishte një hap pozitiv, një lëvizje në drejtimin e duhur. Po ashtu ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve që mbulojnë ngjarje dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Po ashtu ka shqetësime për anën ekonomike, për sa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si edhe njëanshmërisë së tyre. Por në përgjithësi rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor.
Karlekar ka theksuar se rezultati i Shqipërisë e vendos vendin pa mëdyshje mes vendeve me liri të pjesshme prandaj mendoj se do të duhej të bëheshin ndryshime madhore për të kaluar në kategorinë e vendeve me media të lirë. Do të duheshim më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi një ambient më i hapur rregullator, si edhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambientin ekonomik. Pra ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë. Ne shpresojmë që Shqipëria të vazhdojë në trajektoren pozitive që vihet re këtë vit, ka thënë ajo.
1 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)
Freedom House: Shqipëria në vendin e 96-të. Nevojiten më shumë reforma ligjore dhe ndërhyrje politike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email