Frika e manipulimit eklipson zgjedhjet në Shqipëri
Akuzat për blerjen e votave ulin besimin mbi zgjedhjet, rezultati i tyre, cilido qoftë, ka të ngjarë të shkaktojë mosmarrëveshje të forta
Nga Besar Likmeta, BIRN
Qendrat e votimit hapen të dielën, për atë që padyshim do të jetë një nga zgjedhjet me rezultatin më të ngushtë në historinë e Shqipërisë.
Për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jenë një armatë e tërë vëzhguesish, vendorë dhe ndërkombëtarë, më shumë se 8.000.
Duke u përballur me një tranzicion të vështirë drejt demokracisë, që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991, zgjedhjet e Shqipërisë shpesh janë shkatërruar nga manipulimi dhe dhuna.
Zgjedhjet e fundit, në vitin 2009, shkaktuan një krizë politike mes demokratëve në pushtet dhe socialistëve të opozitës, krizë kjo që ende ndjehet në ditët e sotme.
Për këtë arsye, zgjedhjet e së dielës janë parë si një lloj provë për Shqipërinë, nëse do të vazhdojë rrugën drejt integrimit europain, apo do të ketë kthim prapa.
Zgjedhjet e 23 qershor paraqesin një provë vendimtare për institucionet demokratike të vendit dhe progresin e saj drejt Bashkimit Evropian, u tha në një deklaratë e përbashkët të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton dhe Komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fyle.
Është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë liderëve dhe partive politike shqiptare për të përforcuar besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe për të krijuar kushte që rezultatet e zgjedhjeve të pranohet nga të gjithë, shtuan ata.
Në garë janë dy koalicione të mëdha, njëri i kryesuar nga koalicioni i qendrës së djathtë të Partisë Demokratike, të kryeministrit Sali Berisha dhe tjetri i udhëhequr nga socialistët e Edi Ramës, ish- kryebashkiak i Tiranës.
Atmosfera e fushatës ka qenë përgjithësisht e qetë dhe paqësore, demokratët që janë fokusuar në arritjet e tyre në qeveri, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjes së pagave për zyrtarët dhe sektorin publik.
Opozita socialiste, siç edhe pritej, ka kritikuar qeverinë dhe ka premtuar se do të rrisë zhvillimin ekonomik, mbrojtjen sociale dhe do luftojë korrupsionin.
Sipas një sondazhi të fundit të zhvilluar nga TV Ora News dhe realizuar nga një kompani italiane, IPR, koalicioni i majtë i Ramës ka një avantazh të ngushtë.
Ky koalicion ka mbështetjen e rreth 51 përqind e votuesve në krahasim me 45 përqind që shkojnë për koalicionin e Berishës. Megjithatë, për shkak të sistemit të komplikuar të votimit proporcional rajonal, rezultatet e dala nga zgjedhjet mund të jenë më afër sa thonë sondazhet.
Megjithëse është rrezik i madh të luhet me të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian, analistët theksojnë se ekziston një frikë që zgjedhjet mund të manipulohen.
Analistët vendas kanë shprehur shqetësim rreth dështimit të sistemit të drejtësisë për të hetuar akuzat e shumta të blerjes së votave dhe keqpërdorimit të aseteve publike nga Partia Demokratike.
Shqetësimi kryesor i ngritur në fushatën zgjedhore ishte përdorimi i mjeteve të administratës publike nga partitë politike, thuhet në një raport të publikuar të mërkurën nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, një grup mbikëqyrës zgjedhor i OJQ-ve shqiptare.
Përkundër mbulimit të gjerë mediatik për ngjarjet, reagimi i institucioneve të drejtësisë ka qenë pothuajse inekzistent, thuhet në këtë raport.
Gjergj Erebara, redaktor i të përditshmes Shqip, thekson se është bërë presion mbi administratën publike nga Partia Demokratike gjatë fushatës zgjedhore.
Keqpërdorimi i administratës publike për të mbështetur partinë qeverisëse duket se ka arritur më nivele të tmerrshme, thotë ai.
Ka pasur raportime për punësime dhe shkarkime arbitrare të punëtorëve nga nivelet më të larta deri tek ato më të ulëta. Presioni është u lartë në administratë, gjatë gjithë kohës, dhe shpesh e gjejnë veten të përballur me faktin: ‘A-je-me-ne-apo -kundër-nesh? Dilemë kjo! vazhdoi Erebara.
Të njëjtën gjë thotë dhe analisti politik Mero Baze.
Faktet se partia në pushtet ka bërë presion mbi nëpunësit civilë, duke kërkuar të fotografojnë votën e tyre dhe të verifikojë preferencat politike të afërmve dhe miqve të tyre, janë të papranueshme, tha ai.
Baze thotë se ka fakte të bollshme se grupeve të caktuara, të pambrojtura, u janë ofruar para për të fotografuar votën e tyre ose dorëzimin e kartës së identitetit, për të siguruar që ata nuk votojnë për opozitën.
Kjo fushatë është njollosur nga veprime kaq të errëta që kurrë nuk janë parë më parë në këtë vend, kujton Baze.
Shqetësime ka gjithashtu për ndershmërinë e numërimit të votave, pas mbylljes së qendrave të dielën.
Gjithkund ekziston një frikë se fitorja e opozitës në zgjedhje mund të shkaktojë trazirat dhe protesta nga të zhgënjyerit. Megjithatë, komentatorët pajtohen me shkallën e mbështetjes që opozita mund të grumbullojë, në rast se rezultati i zgjedhjeve do të shoqërohet me pretendime për manipulime.
Opozita, për fat të keq nuk ka kredencialet morale për të ftuar shqiptarët për protesta masive edhe në qoftë se qeveria mban pushtetin nëpërmjet parregullsive, thekson Erebara.
Një revolucion nuk ka gjasa të ndodhë, edhe pse në një shkallë të vogël mund të priten protesta dhe konfrontime me policinë, shtoi ai.
Por Baze thotë se, ndërsa opozitës mungon karta morale për kryesuar protestat e mëdha, në qoftë se zgjedhjet gjymtohen në mënyrë flagrante, duke i manipuluar dhe dhunuar, qeveria duhet të presë të përballet me një reagim të fortë.
Shqipëria është e përgatitur për një ndryshim politik, jo për shkak të meritave të opozitës, por për shkak të zhgënjimit të thellë me sundimin e korruptuar të kryeministrit Berisha, tha ai.
Nëse do të ndërhyhet për të bllokuar ketë rotacion, vendi do të përballet me revolta – të cilat mund të kryesohen nga aktivistët e shoqërisë civile sesa nga opozita, përfundoi ai.