TemA TV/ Rama- Meta, konferencë të përbashkët: Do mbrojmë çdo votë, fitojmë 77- 80 mandate (VIDEO)
Kryesocialisti Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Edi Rama, kanë dalë në një konferencë shtypi të përbashkët, pas mbylljes së fushatës elektorale. Rama ka thënë gjatë fjalës së tij se ky është koalicioni më i madh dhe i fortë që ka pasur ndonjëherë, i cili do të garantojë fitoren e zgjedhjeve.
Rama ka garantuar ndërkohë, në emër edhe të LSI-së, mbrojtjen e çdo vote, të cilësdo partie.
Boshti strategjik PS-LSI është garancia për një fitore të madhe dhe për ndryshimin e madh që do të sjellë për Shqipërinë kjo fitore. Por absolutisht as edhe një gjë nuk ka mbaruar. Edhe pse fushata jonë ka marrë gjithnjë e më shumë pamjen e një feste ne do të festojmë vetëm pas fitores. Dhe fitoren do ta arrijmë vetëm kur vula përfundimtare të jetë vendosur mbi rezultatet që presim. Prandaj duam tju drejtohemi të gjithë atyre që na kanë mbështetur deri këtu pa kursim nëpër sheshe, nëpër kënde fjale, rrjete sociale, takime derë më derë, lagje më lagje, fshat më fshat, për këto 48 orë që janë më të rëndësishmet e fushatës. Janë 48 orët më të rëndësishëm që do të vendosin jo kush do ta qeverisë Shqipërinë katër vitet e ardhshme, por çfarë atdheu do të kemi për një gjeneratë. Në këto 48 orë kaq të rëndësishme për fatin e vendit tonë, për ekonominë, për shoqërinë, për demokracinë në Shqipëri, për të ardhmen europiane të Shqipërisë, si ne, si çdo zgjedhës, si deputetët, si qytetarët e zakonshëm, si drejtuesit e fushatës në çdo lagje dhe në çdo fshat, si çdo individ kemi të gjithë një detyrë të përveçme, tha Rama.
Nga ana tjetër dua tju kujtoj në mënyrë solemne dhe publike gjithë pjesëtarëve të skuadrës sonë, deputetëve, drejtuesve të partisë, koordinatorëve, vullnetarëve të përfshirë në administrimin zgjedhor, se Partia Socialiste dhe aleanca jonë për Shqipërinë Europiane ka detyrimin madhor, kushtetues dhe qytetar, të garantojë paprekshmërinë e çdo vote, të çdo aleati dhe të çdo subjekti opozitar në garë. Asnjë votë mos cenohet, çdo votë numërohet në respekt të çdo zgjedhësi. Çdo parti e vogël të mbrohet në të drejtën e votës së vet. Asnjë votë e partive të vogla të mos humbasë dhe as të mos tjetërsohet në numërim. Për ne nuk ka rëndësi vetëm të fitojmë, por edhe të fitojmë me ndershmëri, dinjitet dhe autoritet të plotë.
Kryetari i PS tha se koalicioni i majtë do marrë deri në 80 mandate.
Unë nisem nga sondazhet tona të brendshme dhe harku i probabilitetit për ne është 77 deri në 80. Ju falënderoj për pyetjen sepse më jepni rastin të përsëris se ne jemi dy parti dhe një fuqi dhe fuqia jonë është fuqia e bashkimit që do të thotë se ne kemi zhvilluar një fushatë në funksion të një sistemi zgjedhor që potencon rolin më vete të çdo force por frytet e kësaj fushate do ti mbledhim së bashku dhe do ti administrojmë së bashku. Nuk do të shohim asgjë tjetër përveç një shifre, shifrës së përgjithshme të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Të gjithë deputetët e Aleancës për Shqipërinë Europiane do të jenë një trup dhe do të shkojnë përpara në një drejtim, pavarësisht se vijnë nga forca të ndryshme si rezultat i një sistemi të ndërtuar në një mënyrë të tillë. Kjo është e qartë dhe pa asnjë ekuivok! Pastaj nëse do të jenë 77 apo 80, ju të Klanit besoj do na e falni që të kemi ndonjë gabim mes këtyre dy shifrave apo jo?
Nga ana e tij, edhe Ilir Meta u shpreh i sigurt për fitoren, duke thënë se koalicioni opozitar pret që të marrë 80 mandate të dielën. Meta ndërkohë siguroi edhe një herë se nuk largohet nga koalicioni me PS-në. Madje, ai tha se pas 23 qershorit, koalicioni i opozitës do zgjerohet.
Dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të bashkëpunuar shumë ngushtë me PS, por dhe të gjithë aleatët e tjerë që kanë përgjegjësitë e tyre në administrimin e procesit zgjedhor për të mbrojtur dhe një vote të vetme nga çdo tentative vjedhje dhe trysnie, pasi dhe një votë e vetme është me rëndësi për standardin e zgjedhjeve dhe këtë gjë duhet ta kuptojë më mirë Berisha, i cili duhet të pranojë më në fund zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mos bëhet pengesë për to. Të frenojë strukturat e policisë që janë në shërbim të strukturave te shtetet dhe PD, që t’i shërbejnë standardit të zgjedhjeve e pasi ka të bëjnë me fatin evropian të Shqipërisë. Aleanca për Shqipërinë Evropiane, pas 23 qershorit do jetë më e bashkuar dhe do ecë më shpejt drejt ristrukturimit të ekonomisë familjare.
Shpreh bindjen se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do fitojë 80 mandate, është e qarte se kjo është aleanca më e madhe që nga viti 1992 dhe aleanca do të vijë duke u zgjeruar pas 23 qershorit, pasi fryma e saj është fryma e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes, tha Meta,/b.l