Frika nga “Gjermania e re”

Flamuri francez valon në ekranin e madh, i cili shërben si një sfond i madh për Nicolas Sarkozysë, i cili po përgatitet të dal në skenë, për të folur për krizën e euros. Flamuri është tejet i madh, thuajse organizatorët po mundoheshin që të eliminojnë çdo dyshim se folësi me të vërtetë është presidenti i Francës, e jo vetëm një emisar i thjeshtë i kancelares Angela Merkel.
Kur Sarkozy u paraqit para ithtarëve të tij në qytetin Toulon javën e kaluar, ai foli për frikën se “Franca mund të humb kontrollin mbi fatin e saj”. Fjalët e tij dramatike ishin një apel për krenarinë kombëtare të francezëve, por përgjigjja e tij ndaj kësaj frike nuk ishte çdo gjë tjetër, pos nacionaliste:”Franca dhe Gjermania kanë vendosur të bashkojnë fatet e tyre”, kumtoi ai.
Nuk ka asnjë dyshim për atë se cili shtet dëshiron të ndërlidhet me cilin. Më vonë gjatë ditës, një prej këshilltarëve të Sarkozysë theksoi se presidenti dëshiron “politika të orientuara ekonomike dhe reduktim të borxhit, sipas modelit të Gerhard Schroderit”, paraardhësit të Merkelit.
Të nesërmen, gazeta franceze Liberation botoi një artikull, me titull “Presidenti i modeluar sipas gjermanëve”, në të cilin më tutje u theksua se “nëse njeriu mbyll sytë, mund të dëgjojë Merkelin duke folur gjatë fjalimit të Sarkozysë”.
Gjatë një interviste televizive në nëntor, Sarkozy tha fjalët pothuajse të paimagjinueshme për një president francez:”Të gjitha përpjekjet e mia janë të përqendruara në atë që Franca t’i adoptohet një sistemi që funksionon. Sistemit gjerman”.
Në këto ditë të krizës në Evropë, “modeli gjerman” është shndërruar në diç si një formulë magjike. Ju pëlqen ose jo, gjermanët tani duket se e mbajnë çelësin për shpëtimin e Evropës.
Por si erdhi deri te kjo? Për një kohë të gjatë, Gjermania nuk është konsideruar si shtet model. Ky vend ka vuajtur nga ndjenja e fajësisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga stagnimi ekonomik, që nga fundi i viteve të 80-ta. Gjermanët e shihnin vetën si njerëz të rrethuar nga fqinjët, të cilët bënin gjërat më mirë: skandinavët kishin shtetet e tyre të mirëqenies, Franca politikat e veta miqësore ndaj familjes, britanikët industrinë e tyre të shërbimeve dhe shtetet në lindje kishin tatime më të vogla. Hiç më larg se në vitin 2002, revista Newsweek e cilësoi Gjermaninë si “shtetin e sëmurë të Evropës”.
He tani, befas, Gjermania po përmendet si shembull për të gjithë të tjerët. Është ky vendi pothuajse i vetëm në eurozonë, në të cilin tregjet ende kanë besim. Pothuajse brenda natës, Gjermania u shndërrua në qendër të Evropës.
Pas luftës, francezët dhe britanikët synuan ta fusin Gjermaninë në Evropën e bashkuar, për të pamundësuar që ky vend të shndërrohet sërish në shtet dominues në Evropë. Por tani, forca ekonomike e vendit e ka shndërruar Gjermaninë në udhëheqës të natyrshëm të rajonit, për herë të parë që nga viti 1945, edhe përkundër faktit se as gjermanët, e as fqinjët e tyre, nuk dukën të kënaqur me këtë fakt.
I rezultat, dominimi i Gjermanisë në Evropë ka nxjerrë në sipërfaqe një paradoks. Me rritjen e adhurimit për suksesin ekonomik të Gjermanisë, janë shtuar edhe kritikat për atë se si po e trajton Gjermania fuqinë e vet udhëheqëse.
Gjermanizimi i Evropës po mund të vërehet në të gjitha anët e kontinentit. Në asnjë vend tjetër më tepër se në Francë Gjermania paraqet një kërcënim për psiken kombëtare.
Ka tashmë disa javë që në Francë po zhvillohet debati për atë se pse gjermanët po ecin kaq mirë, ndërsa francezët aq keq.
Anembanë Evropës, kudo që janë kumtuar masat e kursimit apo tashmë janë zbatuar, për krizën është fajësuar Gjermania. Pas të gjithave, janë gjermanët ata, të cilët po kërkojnë këto reforma. Shumë shpejtë, lëvdatat po zëvendësohen me kritika se kancelaria Merkel po përzihet në punët e brendshme të shteteve tjera.
Është kjo ana tjetër e medaljes e dominimit gjerman në Evropë. Gazeta spanjolle, ABC, së fundi shkroi për “gjermanizimin e Evropës” dhe një gazetar komentoi se “Gjermania është në rrugë e sipër që të fitojë Luftën e Tretë Botërore: luftën e parave”.
Në Greqi, kancelaria e Gjermanisë është person i urryer dhe gjatë protestave të shumta në qytetet greke, ajo është kritikuar më së shumti.
Georgios Trangas, një prej gazetarëve më të njohur në Greqi, thotë se vendi i tij “është shndërruar në protektorat të Rajhut të Katërt në Evropën e Jugut”. Ndjenjat anti-gjermane janë pothuajse gjithëpërfshirëse në Greqi.
Por edhe përkundër gjitha ndjenjave anti-gjermane, gjithnjë e më shumë shtete po e kërkojnë kryesimin e Gjermanisë. Në mesin e tyre është edhe Polonia, e cila i është frikësuar më së shumti Gjermanisë së ri-forcuar.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski, mbajti një fjalim në Berlin, me ç’rast theksoi se kolapsi i eurozonës paraqet kërcënimin më të madh për sigurinë dhe mirëqenien e Polonisë. Para pesë viteve, Sikorski pati theksuar se marrëveshja ruso-gjermane për gazsjellësin në Baltik, ja kujton atij paktin mes Hitlerit dhe Stalinit në vitin 1939. Tani ai thotë:”Jam më pak i brengosur për shkak të fuqisë së Gjermanisë, se sa jam i brengosur për dështimin e saj për të vepruar. Gjermania është shndërruar në shtetin thelbësor të Evropës. Nuk duhet të dështojë gjatë kryesimit. Në vend të dominimit, ajo duhet të kryesojë procesin e reformave”.