E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e rrëzojnë Man Utd-in

I inspiruar nga paraqitja e shkëlqyeshme e Xherdan Shaqirit dhe roli i rëndësishëm i Granit Xhakës, Basel mposhti Manchester Unitedin 2-1 dhe e eliminoi nga Liga e Kampionëve. Skuadra zvicerane kaloi në fazën eliminatore të garës duke përfunduar e dyta në Grupin C. Nga pozitat tjera që ishin në dispozicion, pjesëmarrjen e mëtutjeshme e siguruan edhe Napoli i Blerim Xhemajlit, CSKA Moska dhe Olympique Lyon.

I udhëhequr nga paraqitja e shkëlqyeshme e Xherdan Shaqirit dhe prezenca e rëndësishme e Granit Xhakës, Basel ka shkaktuar befasinë më të madhe të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar nga gara njërin prej favoritëve kryesor Manchester Unitedin.

Skuadra zvicerane fitoi 2-1 në shtëpi dhe siguroi pozitën e dytë në Grupin C dhe kalimin në fazën eliminatore të garës elite të klubeve evropiane, për herë të dytë në histori të saj. Baseli kaloi në epërsi nëpërmjet Marco Strellerit në minutën e 9-të pas një harkimi të Shaqirit, të dëbuar keq nga portieri i Manchester Unitedit, David de Gea.

Lideri i kampionatit zviceran administroi mjaft mirë lojën nën orkestrimin e Shaqirit. Xhaka luajti rol të rëndësishëm për 82 minutat që kaloi në lojë para se të zëvendësohej nga Chipperfield. Shaqiri ishte sërish i përfshirë edhe në golin e dytë të Baselit, ku në minutën e 84-të pas harkimit të tij të shkëlqyeshëm shënoi Alexander Frei.

Manchester United tentoi të rikthehet në lojë pas golit nga mbrojtësi Phil Jones në minutën e 89-të, por ishte vonë. Shaqiri u zëvendësua në minutat shtesë nën duartrokitjet e publikut, ndërsa Basel festoi fitoren historike e cila do t’i mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë. Grupi C u fitua nga Benfica që e mbylli xhiron e fundit, duke mposhtur në shtëpi Otelul Galatin 1-0. Në Grupin A, Napoli, skuadra e mesfushorit shqiptar Blerim Xhemajlit (i cili ishte inkuadruar në lojë në minutën e 78-të) fitoi 2-0 me golat nga Gokhan Inler dhe Marek Hamsik në udhëtim te Villarreal dhe siguroi pozitën e dytë prapa Bayern Munichut që pësoi humbje me rezultat 2-0 si mysafir i Manchester Cityt.

Inter u mund në shtëpi me rezultat 1-2 nga CSKA Moska, fitore kjo që skuadrës ruse i siguroi kualifikimin nga pozita e dytë në Grupin B prapa Nerazzurrëve. Lille dhe Trabzonspor barazuan 0-0. Në Grupin D, sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj ishte titullar në humbjen e Dinamo Zagrebit në shtëpi nga Olympique Lyon me rezultat të thellë 1-7.

Ai u zëvendësua nga loja në minutën e 55-të, pasi skuadra kroate ishte duke luajtur me dhjetë futbollistë pas përjashtimit të Lekos në minutën e 28-të. Me këtë fitore, dhe humbjen e Ajaxit në shtëpi nga Real Madridi me rezultat 0-3, Lyon u kualifikua nga pozita e dytë në bazë të golaverazhit më të mirë se gjiganti holandez.

Rezultatet

Grupi A

Man City-Bayern M 2 - 0

Villarreal-Napoli 0 – 2

Tabela

1 Bayern M 6 13

2 Napoli 6 11

3 Man City 6 10

4 Villarreal 6 0

Grupi B

Inter-CSKA M 1 - 2

Lille-Trabzonspor 0 – 0

Tabela

Inter 6 10

CSKA M 6 8

Trabzonspor 6 7

Lille 6 6

Grupi C

Basel-Man Utd 2 - 1

Benfica-Otelul Galati 1 – 0

Tabela

Benfica 6 12

Basel 6 11

Man Utd 6 9

Otelul 6 0

Grupi D

Ajax-Real Madrid 0 - 3

Dinamo Zagreb-Lyon 1 - 7

Tabela

Real M 6 18

Lyon 6 8

Ajax 6 8

Dinamo Z 6 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›