Frika nga EULEX’i
Nxënësit e shkollës fillore “Kadri Beba” në fshatin Ribar të Madh të Lipjanit, kanë probleme me policinë e EULEX’it. Këta nxënës nuk po ia shohin shumë hajrin një prej fqinjëve të tyre. Shtëpia e parë që gjendet afër shkollës, ka rastisur të qëllojë e Nazim Bllacës, personi i cili sigurohet ditë e natë nga policia e EULEX’it. E këta të fundit, shpeshherë i kanë penguar nxënësit dhe mësimdhënësit që të punojnë. Madje nxënësit që janë më të vegjël shpesh kanë ikur të frikësuar në shtëpi, kur policët e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit janë parë me maska në kokë.
Prindërit dhe arsimtarët e shkollës janë të shqetësuar me praninë e forcave të mëdha të policisë afër shkollës, që nganjëherë hyjnë edhe brenda në oborr.
Muhamet Kozhani, drejtor i shkollës së Ribarit të Madh, tregon për Express se policia e EULEX’it shpesh ka hyrë edhe brenda oborrit të shkollës duke shkaktuar panik te fëmijët, sidomos tek ata të vegjlit. “Sidomos në fillim, fëmijët janë trishtuar kur këta policë kanë ardhur me autoblinda dhe me maska në kokë”, tregon për Express, drejtori i shkollës.
Shtëpia e Nazim Bllacës ku qëndrojnë veturat e policisë e karabinierëve italianë, nuk është më larg se njëqind metra nga shkolla. E fëmijët që vijnë në shkollë, patjetër duhet të kalojnë afër policëve që rrinë para derës së oborrit të shtëpisë së Nazim Bllacës. “Ne jemi një vend që jo fort moti ka pasur luftë, e sigurisht se fëmijët i tremben uniformës”, arsyeton drejtori Kozhani, frikën që kanë nxënësit e tij.
Drejtori, arsimtarët, por edhe prindërit e fëmijëve kanë vendosur që t’i drejtohen EULEX’it me një shkresë ku kërkohet që të ndërmerren masa në mënyrë që shkolla të funksionojë si duhet. “Nga prezenca e Policisë së EULEX’it (roje e Nazim Bllacës) në rrugë shumë afër shkollës ne na pengon shumë në procesin mësimor, sepse fëmijët tanë ende e kanë frikën e uniformës së policisë”, thuhet në letrën që Drejtoria e shkollës ia ka dërguar policisë së EULEX’it, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe Expressi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...