E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic pranon pavarësinë e Kosovës

Realitetin e pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Boris Tadic e ka pranuar qysh në vitin 2006. WikiLeaks zbulon depeshet e dërguara Washingtonit nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Beograd, Michael Polt, i cili jep detaje për politikën e Tadicit ndaj Kosovës. Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 08:07

Boris Tadic e ka pranuar realitetin Kosovës së pavarur qysh para pesë vjetësh. Në depeshet e Ambasadës së SHBA’së në Beograd, të cilat në prag të vizitës së Boris Tadicit në SHBA, në shtator të vitit 2006, i ka dërguar në Washington ambasadori i atëhershëm amerikan në Beograd, Michael Polt, thuhet se presidenti i Serbisë privatisht e pranon realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe se është i fokusuar se çfarë do të ndodhë pas zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës.

“Tadic përpiqet që çështjeve kyçe t’iu qaset me më shumë realitet dhe me qasje properëndimore. Për dallim nga Kostunica, presidenti serb ukushton rëndësi të madhe marrëdhënieve amerikano-serbe. Ai privatisht njeh realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe është i përqendruar në ‘ditën pas zgjidhjes’ së problemit të Kosovës. Ai haptazi kërkon arrestimin e Ratko Mladicit dhe haptazi mbështet anëtarësimin e Serbisë në NATO”, shkruan ambasadori Polt në një dokument të publikuar nga WikiLeaksi, që mban datën 1 shtator 2006. Si çështje kyçe në dallimet në mes të qëndrimeve të Tadicit dhe Kostunicës, përveç Kosovës e NATO’s, Polt përmend edhe krimet e luftës, si dhe marrëdhëniet ndaj Malit të Zi dhe SHBA-së.

Ambasadori amerikan thekson se për dallim nga kryeministri Koshtunica, i cili refuzon të njohë si publikisht, ashtu edhe privatisht pavarësinë e Kosovës, Tadic privatisht e njeh rëndësinë e përgatitjes së momentit të shkëputjes së Kosovës dhe është përpjekur të fitojë sa më shumë që është e mundur për Serbinë dhe për serbët e Kosovës.

“Edhe pse publikisht duhet ta ndjekë vijën qeveritare dhe t’i qëndrojë prapa Kostunicës, qëllimi i tij është që ta pranojë pashmangshmërisht pavarësinë e Kosovës dhe ta ndihmojë vendin e tij të shkojë përpara drejt integrimeve euroatlantike”, thekson Polt.

Sipas tij, Tadic në dy raste iu ka bërë thirrje direkte amerikanëve që të bëjnë të mundur arritjen e një marrëveshjeje të volitshme rreth procesit të decentralizimit dhe pozitës së kishave serbe në Kosovë, gjë që do t’i ndihmonte në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

“Mbase duhet sjellë ndërmend se Tadic ishte ai i cili, përkundër riskut të madh politik, iu ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet (e organizuara në Kosovë, v.j.) e tetorit të vitit 2004. Kostunica ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë. Si ministër i Mbrojtjes, në vitin 2004 Tadic ka luajtur rol kyç në arritjen e paqes dhe reagimit të përgjegjshëm ndaj dhunës në Kosovë”, shkruan ambasadori Polt.

Në takimet private me Poltin dhe Frank Wisnerin, ish-të dërguarin e posaçëm amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës, Tadic kishte theksuar se një ditë pas vendimit për statusin e Kosovës, do të fillojë së forcuari marrëdhëniet me tri shtyllat kryesore të politikës së jashtme serbe – SHBA’në, BE’në dhe, siç thekson Polt, Rusinë e pashmangshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›