Frika nga hakmarrja, Aldo Bare refuzon të marrë pjesë në varrimin e nënës
Tiranë Aldo Bare refuzon të marrë pjesë në varrimin e s’ëmës, e ndarë nga jeta dy ditë më parë. Vendimi u është komunikuar drejtuesve të paraburgimit 313 në kryeqytet nga vetë i dënuari me burgim të përjetshëm, i cili ka hequr dorë nga kërkesa për leje. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat thanë se Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, ka firmosur një deklaratë me anën e së cilës thotë se nuk do të marrë pjesë në varrimin e nënë, e cila ndërroi jetë për shkak të moshës së thyer. Ky vendim ka befasuar autoritetet e burgjeve, pasi një ditë më parë Aldo Bare kishte kërkuar leje nga Prokuroria për Krime të Rënda për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Ndryshimi i papritur i kërkesës ka befasuar jo vetëm drejtuesit e paraburgimit ku qëndron Bare, por edhe prokurorët që do të merrnin në shqyrtim kërkesën për leje, duke parë edhe kushtet e sigurisë së të dënuarit, si dhe shoqërimin e tij në qytetin e Lushnjës. Një komision i posaçëm në Prokurorinë për Krime të Rënda është mbledhur paraditen e djeshme për të shqyrtuar kërkesën e bërë nga Bare për të qenë pjesë e ceremonisë mortore të nënës së tij Ikbale Shkurti, e cila vdiq në moshën 77-vjeçare. Grupi i prokurorëve ka shqyrtuar fillimisht mundësinë e dhënies së lejes, e cila do të kryhej në bashkëpunim edhe me policinë e burgjeve, si dhe struktura të tjera të sigurisë, për të garantuar kështu sigurinë fizike të Aldo Bares. Pa u marrë ende vendimin nëse ishte e mundur ose jo dhënia e lejes, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka mbërritur një deklaratë e firmosur nga Bare. Sipas saj, ish-kreu i Bandës së Lushnjës hiqte dore nga kërkesa për leje, duke mos paraqitur arsyet e një vendimi të tillë. Paraprakisht dyshohet se Aldo Bare i druhet ndonjë hakmarrjeje të mundshme, në rast se do të dilte me leje, kjo për shkak të së shkuarës së tij në qytetin e Lushnjës. Por nga ana tjetër, prokuroria dhe strukturat përgjegjëse të policisë nuk kanë arritur marrëveshje mes tyre nëse i dënuari i rrezikshëm do të shoqërohej dhe kthehej sërish në qeli pa i ndodhur gjë. Kjo dilemë është zgjidhur nga vetë Bare, i cili tashmë ka firmosur deklaratën për mospjesëmarrje në ceremoninë mortore, duke vendosur të qëndrojë në qeli. Burime zyrtarë pranë Drejtorisë së Burgjeve thanë për gazetën “Mapo” se menjëherë pas lajmit të vdekjes së nënës, autoritetet e paraburgimit kanë vënë në dijeni të dënuarin, duke e pyetur nëse do të ndiqte procedurat për përfitimin e lejes që ligji parashikon në raste të tilla. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se Bare ka refuzuar një gjë të tillë, duke firmosur edhe deklaratën përkatëse. Por burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan se në këtë institucion, që ka hetuar dhe veprimtarinë e tij dhe të “Bandës së Lushnjës”, kanë marrë një kërkesë prej Aldo Bares, e cila një ditë më pas është tërhequr po nga vetë i dënuari.
Aldo Bare, në pritje të gjyqit në Apel
Aldo Bare ndodhet në qeli që prej 29 nëntorit të vitit 2009, kur është ekstraduar nga Turqia si një nga më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në mars të këtij viti, për një sërë akuzash të rënda, përfshi vrasje, rrëmbim dhe drejtim të organizatës kriminale të njohur me emrin “Banda e Lushnjës”. Bare, tashmë ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe është duke u gjykuar nga Gjykata e Apelit. Emri i tij konsiderohet si një ndër personazhet më të rrezikshëm të krimit shqiptar, ku në kuadër të organizatës kriminale ka kryer një sërë vrasjesh dhe atentatesh në rrethin e Lushnjës.