Luanin me shkrepëse, zjarri aksidental shkrumbon 5-vjeçaren
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në fshatin Salari, Tepelenë, kur një zjarr aksidental i ka marrë jetën një vogëlusheje 5-vjeçare. Sipas versionit zyrtar të policisë së Gjirokastrës, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, dy motrat, vajza të familjes Hita, banore të fshatit Salari, përkatësisht 6 dhe 5 vjeç kanë qenë duke luajtur me shkrepëse në kasollen e barit e cila ndodhet në oborrin e shtëpisë ku jetonte kjo familje. “Vatra e zjarrit ka patur si shkak pakujdesinë gjatë lojës me shkrepëse midis dy vajzave të familjes Hita, banore të fshatit Salari. Ka qenë ora 21.00 e mbrëmjes të së enjtes, kur efektivat e policisë kanë marrë informacionin se një zjarr i rëndë në fshatin Salari ka shkaktuar humbjen e jetës së një vogëlusheje 5-vjeçare. Gjatë lojës me shkrepëse, aksidentalisht shkëndijat kanë përfunduar në barin e thatë, i cili ishte depozituar në pjesën e brendshme të kasolles, çka ka bërë që zjarri të përhapet në mënyrë të furishme”, thanë burime të grupit hetimor. Sipas grupit hetimor që ka ndërtuar ngjarjen; brenda pak minutash kasollja është përfshirë nga flakët. Duke qenë më e madhe në moshë, motra 6-vjeçare ka mundur të vrapojë jashtë kasolles së barit, duke arritur t’u shpëtojë flakëve e duke lënë pas motrën e saj. Ndërkohë që vogëlushja 5-vjeçare, më e vogla e familjes, nuk ka mundur të dalë nga kasollja, megjithë ndërhyrjen e familjarëve për të shuar zjarrin dhe për t’i ardhur në ndihmë vogëlushes. Flakët kanë përpirë kasollen duke i shkaktuar humbjen e jetës më të voglës. Sapo kanë marrë informacionin, në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë së Gjirokastrës dhe të Komisariatit të Tepelenës. “Duke vlerësuar maksimalisht situatën, aq më tepër që bëhej fjalë për një viktimë të moshës së vogël, në drejtim të vendngjarjes kanë udhëtuar forca të specializuara të policisë nga Gjirokastra si dhe kolegët e tyre të komisariatit të Tepelenës”, thanë burime të policisë lokale. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje ata kanë gjetur pjesëtarët e familjes Hita të traumatizuar nga ajo që kishte ndodhur si dhe të afërm dhe bashkëfshatarë të tyre. Bledar Shehu