E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga lufta “aksidentale”

oncentrimi i fuqisë detare në Ngushticën e Hormuzit po shton rrezikun nga shpërthimi i luftës së katërt në Gji, edhe përkundër faktit se demonstrimi i fuqisë mund të jetë asgjë më tepër pos një rreshtim nga ana e Iranit dhe Perëndimit, në prag të fillimit të negociatave të mundshme. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si aortë e tregtisë me naftë.

Çdo gjë që u shpalos javën e kaluar në Ngushticën e Hormuzit ishte teatër i pastër. Kishte fjalë të ashpra, rreshtime të rrezikshme, monodrama të aktruara me mjeshtëri.

Kështu së paku ishte në skenën e Festivalit të Pestë të Monodramës në Fujairah.

“E gjithë bota po kalon këndej”, deklaroi drejtori i Festivalit gjatë ceremonisë së hapjes, më 22 janar. Me këto fjalë, ai vështirë se ju referua flotës së anijeve luftarake, të cilat në atë moment po i afroheshin emiratit të vogël Fujairah, flotë kjo e përbërë nga aeroplan bartësit amerikanë, Abraham Lincoln, nga dy anije për shkatërrim, nga fregata britanike Argyll dhe ajo franceze, La Motte-Picquet. Kjo flotë po lundronte drejtë perëndimit, neper Ngushticën e Hormuzit drejtë Gjirit Persik. Ushtria amerikane tashmë i referohet kësaj zone si “teatër”, skenë kjo e mundshme e luftës.

Gjiri Persik nuk ka përjetuar një demonstrim të këtillë të fuqisë detare, që nga fushata përfundimtare kundër Saddam Husseinit. Dhe vërtetë, të gjithë filluan të parashtrojnë pyetjen se a është ky rreshtim vetëm një blof, apo shenjë e fillimit të luftës së katërt në Gji.

Dy aeroplan bartësit tjerë amerikanë, USS Carl Vinso dhe USS John Stennis po lundrojnë në Gjirin e Omanit dhe Detin e Arabisë. Në fund të dhjetorit, Irani zhvilloi një prej manovra më të mëdha detare në historinë më të re. Admirali iranian, Mahmoud Asavi, theksoi se qëllimi i kësaj manovre ishte që flota të përgatitet që të përballet me armikun në situata të luftës.

Me brigjet e Iranit të mbushura me raketa, me flotën e Gardës Revolucionare dhe me bunkerë nënujorë, një fuqi kaq e madhe ushtarake po përqendrohet në rajon, sa që çfarëdo incidenti i vogël mund të nxisë një luftë të re në Gji.

Patrick Seale, ekspert britanik për Lindjen e Mesme, tërheq vërejtjen se lufta mund të shpërthejë edhe aksidentalisht.

“Sanksionet kundër Bankës Qendrore dhe eksportit të naftës së Iranit mund të krijojnë një klimë të nacionalizmit histerik, i cili mund të nxisë një përleshje”, thotë Seale.

Nga aspekti gjeografik, Ngushtica e Hormuzit shtrihet aty ku puqen dy pllakat kontinentale. Këtu, pllaka arabe rrëshqet nën atë të Euroazisë. 20 për qind e naftës së papërpunuar në botë vjen nga rajoni i Gjirit. Nga kjo sasi, rreth 80 për qind e saj kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Ekonomitë e Kinës dhe të Koresë së Jugut varën nga nafta prej Gjirit, pasi që ajo mbulon tri të katërtat e nevojave të tyre të naftës.

Ngushtica e Hormuzit nuk është arterie e tregtisë me naftë. Është aorta e saj. Për aq kohë sa mban mend njerëzimi, trehtarët dhe kontrabanduesit kanë lulëzuar këtu. Qysh në shekullin e 13-të, Ngushtica nga Marco Polo u cilësua si qendër e tregtisë në distanca të largëta.

Sipas të ashtuquajturës “Doktrina Carter”, të shpallur në vitin 1980 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Jimmy Carter, përpjekjet e forcave të jashtme për të vënë nën kontroll rajonin e Gjirit Persik do të konsiderohen si sulm ndaj interesave jetësore të SHBA-së dhe se sulmet e tilla do të zmbrapsen me të gjitha mjetet në dispozicion, në rast nevoje edhe me mjete ushtarake.

Gati tri dekada më vonë, kjo doktrinë vazhdon të jetë baza e strategjisë së SHBA-së në Gji.

Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 40 mijë ushtarë të stacionuar në Gji, në anije dhe në bazat ushtarake në Kuvajt, Abu Dabi, Katar dhe Bahrejn. Një nga bazat më të rëndësishme amerikane gjendet në Bahrejn, një rajon me popullatë shumicë shiite, të cilin Irani e pretendon. Që nga trazirat e dhunshme në Bahrejn vitin e kaluar, ushtria amerikane po shqyrton që flotën e saj të pestë ta zhvendosë nga Manama, kryeqyteti i Bahrejn, në Katar.

Embargoja e vendosur javën e kaluar nga BE-ja ndaj Iranit, do të dëmtojë një të pestën e eksportit të naftës të Iranit. Nëse edhe SHBA-ja ashpërson sanksionet, atëherë Teherani me plot kuptimin e fjalës do të paralizohej.

Kjo do ta dëmtonte rëndë Iranin. Natyrisht, kërcënimet e fundit mund të jenë asgjë më shumë se rreshtime teatrale apo blof, në prag të negociatave të mundshme. Është e vërtetë se të dy palët janë të vetëdijshme për rreziqet e një lufte të re në Gji. Por nëse ekziston një bombë e kurdisur, atëherë ajo padyshim se do të shpërthejë në ditën kur embargoja evropiane e naftës hyn në fuqi. Kjo ditë është 1 korriku i vitit 2012.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›