Frika nga protestat, Lukashenko, i gatshëm të ftojë trupat ruse në rast nevoje

Presidenti autoritar i Bjellorusisë tha të premten se është i gatshëm të ftojë trupat ruse në vend nëse do të ishte e nevojshme për të garantuar sigurinë e Bjellorusisë dhe Rusisë.
Por, Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko shtoi se për momentin “nuk ka nevojë” për një gjë të tillë.
Në komentet e tij për agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko theksoi se ai ishte përballur me protestat anti-qeveritare të vitit të kaluar pa angazhuar forcat e armatosura të vendeve të tjera, por shtoi se nuk do të hezitonte të sillte trupa ruse nëse kjo do të ishte e nevojshme.
Sipas agjencisë së lajmeve Belta, Lukashenko tha se Bjellorusia është në gjendje të dislokojë shpejt 500,000 trupat e saj, por “nëse ato nuk janë të mjaftueshme, të gjitha forcat e armatosura ruse do të sillen në vend. Nëse kjo do të jetë e nevojshme, ne nuk do të hezitojmë.”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të premten se Moska nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga Bjellorusia për të dislokuar trupa dhe se kjo “është e mundur vetëm pas një kërkese zyrtare nga udhëheqja e një vendi drejtuar udhëheqjes së vendit tonë”.
Rusia dhe Bjellorusia kanë lidhje të ngushta me njëra-tjetrën në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Dy stacione radarësh rusë që komunikojnë me nëndetëset bërthamore në oqeanin Atlantik dhe Indian dhe pjesë të Paqësorit janë të vendosura në Bjellorusi. Në shtator, dy vendet ish-sovjetike kanë planifikuar të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë.
Deri kohët e fundit, qeveria e zotit Lukashenkos kishte rezistuar përpjekjet e Moskës për të zgjeruar praninë ushtarake në Bjellorusi dhe kishte refuzuar kërkesat për hapjen e një baze ajrore dhe dislokimin e trupave shtesë në vend.
Por pas krizës politike që shpërtheu në Bjellorusi dhe që u shoqëruar me protesta të mëdha pas rizgjedhjes së Lukashenkos për një mandat të gjashtë në gusht të vitit 2020, Rusia i premtoi mbështetje ushtarake fqinjit të saj dhe një hua prej 1.5 miliardë dollarësh për ekonominë e rënuar të Bjellorusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të shumta që kanë vënë në shënjestër udhëheqjen bjelloruse dhe sektorët kryesorë të ekonomisë së saj pas protestave kundër manipulimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.