E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Anëtarësia të votojë kandidatin që ofron më siguri për fitoren e ardhshme

17-07-2013 / Gazeta 55

Në një mesazh publik për anëtarësinë e Partisë Demokratike, kryetari në detyrë ka vlerësuar fushatën e brendshme zgjedhore, duke e cilësuar atë si një standard të ri, që po i vendoset politikës. Ai ka përgëzuar klimën me të cilën po zhvillohen takimet e dy rivalëve dhe ka ftuar votuesit të zgjedhin “kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhme”

Ndërsa pak ditë na ndajnë nga zgjedhja e kreut të ri të PD-së, lideri në detyrë i së djathtës Sali Berisha i ka dërguar një mesazh gjithë anëtarëve të PD-së. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke falënderuar anëtarët e PD-së anembanë vendit për pritjen që po i bëjnë dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, Berisha thekson se falë tyre po ndërtohet një mekanizëm i ri i demokracisë brenda partisë. Kryeministri teksa ka bërë apel që të votohet pa u ndikuar për kreun e ri të PD-së thekson se të gjithë anëtarët janë të barabartë në këtë proces. “Të dashur miq, me këtë mesazh dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anëtaret dhe anëtarët e PD për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD. Kjo ka rëndësi kombëtare. Sot i tërë pushteti i PD qëndron tërësisht në votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore jemi me të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë. Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një vote. Me besim të plote në mençurinë, vullnetin, ndershmërinë tuaj ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhme. Zoti ju bekoftë ju dhe Partinë Demokratike! Sb”, shkruan Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›