E Shtunë, 31 Tetor 2026

Front opozitar për rrëzimin e qeverisë

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje të martën e kanë kundërshtuar rezolutën të propozuar nga PDK-ja në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kjo rezolutë e pa ligjshme dhe antikushtetuese po vjen në kohën kur qeveria Thaçi po lëkundet nga zërat e brendshëm kritik të PDK-së si dhe në kohën kur deputetët e pakënaqur po e lëshojnë koalicionin qeverisës.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për media ka deklaruar se rezoluta e djeshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë po vjen në kohën kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lëkundje brenda përbrenda partisë së tij, por edhe të koalicionit qeverisës.

“Kjo rezolutë po vjen në kohën kur qeverisë së Hashim Thaçit po i lëkundën në njërën anë nga zërat e brendshëm kritik të PDK-së, në kohën kur deputetët e pakënaqur po e lëshojnë vazhdimisht koalicionin qeverisës si dhe në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet që t’i bashkojë subjektet opozitare për t’i dhënë fund mandatit kësaj qeverie të korruptuar nëpërmjet një mocioni të mosbesimit”, ka thënë ai.

Ai ka akuzuar AAK-në, duke thënë se ia mundësoi kësaj qeverie privatizimin dhe shpronësimin kriminal të qytetarëve të Kosovës nga pasuria jonë publike, tash po i bashkohet kësaj qeverie në negociata me Serbinë, sepse është pajtuar që të jetë pjesë e kësaj rezolute.

Sipas tij, pozita thotë se rezoluta është në përputhje me kushtetutën, por Konjufca thotë se vetë hyrja në dialog me Serbinë, ku do të flitet për veriun e Kosovës është kundër kushtetues.

Konjufca po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha partive opozitare që të bashkohen rreth një “fronti opozitar” për t’i dhënë fund kësaj qeverie.

“Ne ju bëjmë thirrje si Vetëvendosje të gjitha subjekteve opozitare që tash është koha për një ‘front opozitar’ të fuqishëm për t’i dhënë fund mandatit të kësaj qeverie, e cila pasurinë po na e han dhe territorin po na e tretë me marrëveshje me Serbinë, koha tash kur koalicionit po i ikin njerëz vazhdimisht, kur ata po mundohem që këto zbrazëtira m’i “harrnu” prej kalimit të vetë deputetëve përbrenda vetë koalicionit”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh se nisma të tilla për bashkim të opozitës kohë më parë kishte marrë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por që nuk ishte ftuar Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se nuk kanë përputhje të programeve, nënkryetari tjetër i kësaj Lëvizjeje, Shpend Ahmeti, ka thënë se kjo nuk i pengon ata që të bashkëveprojnë.

Ai ka shtuar se bashkëveprimi opozitar nuk nënkupton edhe koalicione për zgjedhjet të ardhshme.

“Kërkesa për bashkëveprim për ta rrëzuar qeverinë nuk nënkupton koalicion për zgjedhje të ardhshme dhe në qoftë se ne e kemi pikën e pajtimit se kjo qeveri është e keqe, ne do të duhej që të ishim të gatshëm që të bashkëpunojmë që ta rrëzojmë këtë qeveri”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shtuar se nëse partitë opozitare pajtohen se kjo qeveri po i bën dëm vendit, atëherë sipas tij, prapa fjalëve duhet të qëndrojnë edhe veprimet.

I pyetur nga gazetarët se në kohën kur qeveria tash po ka probleme me plotësimin e numrave në kuvend për shkak të disa lëvizjeve të fundit dhe drojës se mos ndonjë deputet i Vetëvendosjes do t’i bashkohet koalicionit qeverisës, Ahmeti nuk ka dashur të besoj në këtë gjë, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim.

“Ne jemi për demokraci. Tash me ja nis me u mërzit se a po e marrin një deputet të Vetëvendosjes për të cilin unë mendoj se nuk ka kurrgjë të vërtetë aty dhe nuk mund të ketë”, ka thënë ai.

Ndryshe,ndonëse rezoluta është për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, drejtues të Vetëvendosjes thanë se në atë dialog do të flitet për veriun e Kosovës, e cila rezolutë nuk përmban asnjë kusht për Serbinë për të hyrë në këtë dialog./Kosovapres/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›