Frontistët u përgjigjen reagimeve

Kryetari i Frontit, Mr. Remzi Hasani gjatë një konference për medie ka thënë se ka pritur një reagim të autorit, por dhe të njerëzve të sojit të tij.
Fevziu kundërshtimin e tij e filloi me akuza ndaj frontistëve, duke i cilësuar si njerëz të inkuzicionit, njerëz që janë kundër NATOS-s dhe se kështu Kosova nuk mund të arrijë në Evropë e shumë gjëra tjera.
“Ne i themi shkurt, Blendi Fevziut, e dimë që të kemi vënë në siklet, sepse ju e bombarduat opinionin me propagandën e televizionit “Klan” se gjoja e zbuluat misterin e pazbuluar të universit, përvetësuat një famë të pamerituar duke e quajtur E. Hoxhën kriminel, njeriun që nuk e deshi Kosovën, etj. Neve mund të na quash si të duash edhe inkuizicionist, andaj kërkoj nga ju që të na kuptoni drejtë, se kulturën për të djegur na i dhatë ju tash e 20 vite më parë”, ka thënë Hasani.
Ky subjekt i hedhë poshtë edhe akuzat e bërë ndaj këtij subjekti se gjoja me veprimet tyre janë kundër NATO-s. Hasani i rikujton Fevziut se në kohën kur Evropa, NATO dhe perëndimi i vunë embargo Serbisë, për shkak të gjenocidit të saj në Ballkan, ishte “demokracia” fashiste e Berishës dhe Rusia që e thyen atë pa kurrfarë turpi.
Hasani i ka hedhur poshtë edhe idetë që kanë qarkulluar në këtë libër për gjoja se Enver Hoxha ka qenë i përkëdheluri i Titos, duke thënë se këmba e tij asnjëherë nuk e ka shkelur tokën shqiptare, falë vigjilencës së tij.
Në reagimin e këtij formacioni janë spikatur edhe shumë çështje të tjera që kanë marr zhvillim pas viteve të 90 e që nuk i kanë bërë mirë shtetit shqiptarë. Hasani ka sjell shumë shembuj të këtyre zhvillimeve.
Një akuzë të rreptë kryesuesi i Frontit Popullor, e ka bërë dhe ndaj OJQ-së INPO dhe një gazetari koluminist. Të parët në fakt dhe patën kërkuar nga institucionet komunale arsimore që ky të largohet nga procesi mësimor për shkak se ky me veprimet e tija po indoktrinon rininë shkollore. Hasani ka thënë se koha e diferencimeve ideopolitike ka përfunduar në vitin 1981.
“E them publikisht do të isha shumë krenar po të mund ta bëja një gjë të tillë, pavarësisht nga dënimi që mund të pasoj. Këtë zotërinjtë e INPO-s, duhet t'i kthehen pak të kaluarës kur para 5 viteve i morën nxënësit pa leje dhe i dërguan në Novi Sad dhe Nish dhe deri më sot askush nuk e di se çka bënë ata atje. I bëjë ftesë publike INPO-s që të deklarohen para qytetarëve, se pse ishin në Serbi në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur”, ka thënë Remzi Hasani.
Ndryshe, libri më i ri publicistik i Blendi Fevziut “Enver Hoxha” është djegur në fund të muajit dhjetor nga përkrahësit e “Frontit popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës”. Ata patën vlerësuar se ky libër nuk përfaqëson asgjë tjetër, por një propagandë të egër kundër kësaj figure, që tashmë po bëjnë një grup i caktuar në Shqipëri, sikurse është nipi i Esat Pashë Toptanit - Blendi Fevziu. /Kosovapress/