Fryma e Milloshevicit kercenon rajonin

Përshkallëzimi i tensionit në Luginën e Preshevës mund të bëhet shkak për një destabilizim të përgjithshëm të gjithë rajonit të Ballkanit. Ky është qëndrimi që ka mbajtur Komisioni për Politikën e Jashtme në parlamentin shqiptar,
pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme.
Zhvillimet e fundit në luginën e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit shihen si tepër shqetësuese, dhe me risk të lartë për të ardhmen e rajonit. Kjo pasi në terren konstatohet një përkeqësim i situatës dhe rritje e pranisë së xhandarmërisë serbe, veprime këto që sipas ministrisë së Jashtme nuk lidhen thjesht dhe vetëm me heqjen e monumentit të UCPMB-së në komunën e Preshevës. Komisioni vëren me shqetësim shtimin e frymës millosheviçiane në qarqe të caktuara serbe, deklaratat dhe veprimet e së cilës duhen parë nën këndvështrimin e problemeve më të hershme të këtij rajoni, që kanë të bëjnë me zhvillimin e pakët ekonomik dhe politikën represive të Beogradit.
Kundrejt kësaj situate Komisioni i Jashtëm i bën thirrje popullsisë shqiptare të atjeshme të tregojë maturi përkundrejt situatës së krijuar dhe të mos bjerë pre e provokimeve të palës serbe. Njëkohësisht ai i bën thirrje palës serbë të zgjidhë nën frymën e dialogut me autoritetet shqiptare problemet që kanë dalë së fundmi.
Komisioni Për Politikën e Jashtme në parlamentin shqiptar përsërit nevojën e trajtimit të problemit me gjakftohtësi, në kuadër të respektimit të konventave ndërkombëtare si edhe Kartës së Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës.