E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, Thaçi: Serbia do njohë Kosovën

19-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi takon homologun e tij serb, Daçiç në prani të shefes për politikën e jashtme të BE-së, Ashton

Pas përfundimit të takimit me homologun e tij serb, në prani të shefes për politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian Catherine Ashton, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se ky është një kapitull i ri për marrëdhëniet mes dy vendeve, si shtete sovrane. Kryeministri Thaçi ka theksuar se Serbia e ka marrë shumë qartë mesazhin në progres-raportin e fundit ku thuhej se një nga kushtet thelbësore për rrugën evropiane është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, dhe respektimi i integritetit territorial.
Nga ana tjetër kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka deklaruar se i kishte thënë Thaçit se dhe ai kishte lindur në Kosovë. “Unë i thashë Thaçit se Kosova është e tij, aq sa është e imja. Unë kam lindur në Kosovë”, ka thënë kryeministri serb, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Daçiç tha pas takimit me Thaçin se tema e takimit është “marrëveshja për dialogun”. Ai shtoi se takimi i radhës do të mbahet në nëntor, ndërsa deri atëherë qeveria serbe do ta përgatisë një platformë për dialogun me Prishtinën. Në një prononcim për RTS, ai tha se në platformë do të jenë të hapura të gjitha temat, që nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë, telekomi, energjetika e deri te çështjet politike.
Në një deklaratë për shtyp, shefja e politikës së jashtme tha se “takimi është zhvilluar në atmosferë të mirë e konstruktive. Ajo ka shtuar se është rënë dakord për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe të dy kryeministrat janë zotuar për të punuar së bashku. Të dy kryeministrat shkuan në Bruksel me mbështetje nga vendet e tyre. Kryeministri serb më vendimin e qeverisë së tij për vazhdim bisedimesh, ndërsa kryeministri i Kosovës me një rezolutë të miratuar në Parlament për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit. Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për çështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndet takimin: Drejt normalizimit të marrëdhënieve

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç është përshëndetur sot nga Ministria e Punëve të Jashtme e vendit tonë. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Jashtme vlerëson vazhdimin e dialogut, në nivel të lartë, si një hap të rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për zgjidhjen e problemeve praktike që ekzistojnë midis dy vendeve.
Vazhdimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve është në interes të dy vendeve, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe i shërben integrimit të të dy vendeve dhe gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, ministria përshëndet rezolutën e Parlamentit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si një shprehje të vullnetit dhe përgjegjësisë së lartë të institucioneve të Shtetit të Pavarur të Kosovës për të parë përpara dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe në paqe për të dy vendet dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›