E Diel, 1 Nëntor 2026

Fryma kushtetuese po cenohet nga profili i kandidateve të vetëshpallur

Share

Nga Griselda Qosja

Qëlloi, te ndodhesha ne Prage gjate kohës ne te cilen Presidenti i Çekisë, e shkrimtari i dashur Havel ndërroi jete.  Praga, ato dite, pat marr hijen e një dhembje te rishte, jo gjemadhe, por çuditërisht te hijshme, e te sinqerte. E cila shquhej lehtësisht nder qindra qytetare, qe ne heshtje vendosnin qirinj e lule bri imazhit te ish-presidentit qe nderej prej Muzeut kombëtar. Me një mallëngjim aq te ndjere, sa nuk mund te mos i bashkoheshe.

Çaste te tilla, janë te rëndësishme, pasi kupton rendësin e një jete te çuar persembari, respektit e dashurisë qe puna dhe qenia jote, ngjall ne te tjerë.  Pastaj, si gjithnjë pas disa minuta përsiatje, ngjarja nis te ngacmoje edhe ne një plan, pak me pak vetjak. E nis te mendosh se sa rëndësishme është një jete e çuar persembari, se sa e rëndësishme është dashuria dhe respekti qe dikush ngjall jo vetëm si një qytetar i thjeshte e anonim, por edhe si një njeri qe puna apo rastësia, e ka vendosur ne krye te një populli.

Ish pikërisht kjo ngjarje, e cila mu grish se fundmi prej debatit qe ka kapluar shoqërinë shqiptare këto dite përkundrejt zgjedhjes se Kryetarit te Shtetit. U përpoqa te sillja ndërmend, por pa rezultat, një figure politike te cilën, ta kemi dashur aq fort njëzëri te gjithë. Një figure te cilën te mos e kemi përbaltur, sulmuar, apo fosilizuar ne përkatësi partiake. E urova, qe vite pas kësaj, te mund ta gjeja një te tille.

Ne vendin tone, qe prej shpalljes se Pavarësisë, me 1912, kemi provuar një sere modelesh qeverisje, qe prej protektoratit ndërkombëtar, monarkisë te atypëratyshme, regjimit totalitar njehsuar me partine-shtet, e se fundmi ne këto 20 vitet e mbrapme edhe republikën parlamentare.  Veç, ekzistenca e larmisë ne ketë rast nuk është tregues i një populli vizionar ne kërkim te modelit me te mire, por rrjedhoje, e pashmangshme e zhvillimit te kushteve historike.  Rrjedhoje, e cila është tregues ne mos tërësor i pjeseshem, i mungesës se stabilitetit, vijushmerise, e besueshmërisë institucionale, dialogut e kompromisit. Ekzistencës se luftës se brendshme, e cila e sheh tjetrin, te ndryshmen, jo si sfide për përsosje, por si kërcënim qe duhet zhbëre. E druhem shume, qe edhe ketë here nuk do te mund ti shpëtojmë, grackës se interesit vetjak, e përdorje se pushtetit edhe si qellim edhe si mjet njëherazi. E zgjedhja e Kreut te Shtetit sdo te jete veçse një mjet-mbartës-shpresash,  për fituar epërsi ndaj palës tjetër.

Është e vërtete duhen veç 71 vota, për te zgjedhur një President. Çka i jep mundësinë mazhorances se sotme te ketë një rol kyç e vendimtar ne zgjedhje, e literalisht te ketë defacto fuqinë ne zgjedhjen e tij. Por fryma kushtetuese është e qarte, kryetari i shtetit duhet te jete simbol i unitetit kombëtar, duhet te qëndroj mbi palët e te garantoje paanshmërinë institucionale duke balancuar pushtetin. Ne kushte tilla një kandidature me një te shkuar politike, nuk do te qe tjetër veçse një sfide e hapur ndaj atyre themeleve si pavarësia e pushteteve, te cilat ne demokraci janë jetike. Sepse është feminore te mendohet qe një individ, te shuaje e te ndeze bindjet me komande, me tu vendosur ne pozicionin e Kryetarit te Shtetit, e te harroje kështu tere leksionet e shkuara, preferencat, e bankën e ndereve për tu kthyer.

Ndaj është e një rëndësie thelbësore qe debati te përqendrohet jo veç tek individi/kandidatura, por edhe ne proces. Sepse vetëm duke garantuar një proces konsesual te ngritur mbi themelet e dialogut politik dhe qytetar, mund te garantohet siguria tek individi, si rrjedhoje e jo gjenerues i se pares.  Sigurisht është me e lehte te propozohen figura te shquara prej shoqërisë civile , shkencës, e kulturës. Por kjo do te qe një garanci e përkohshme fluturake, e kufizuar prej kufijsh kohor mandatesh. E ne mos sigurofshim asnjërën e as tjetrën, atëherë mund edhe te rimendonim modelin e perse jo te shqyrtonin edhe mundësinë e një presidenti te zgjedhur prej popullit, qe do te detyronte Kryetarin e Shtetit, te ish përgjegjës ndaj këtyre te fundit, jo ndaj aksh partie.

E deri me tani, kandidaturat e përfolura nen zë ose jo janë, shqetësuese. Qofte për perkatesine e tyre te hapur, te pastër e te pamohueshme politike, qofte edhe për  guximin e tepruar te vete kandidimit. Fundja ne kushtetute thuhet qarte se President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri, jo dikush qe tete vitet e fundit i kaluar me se shumti ne kryeqytete te huaja, pa dhëne asnjë kontribut minimal ne vitet e fundit, ne vendin ne te cilin pretendon te vendoset ne krye.

Presidenti është Kreu i Shtetit dhe si i tille duhet te jete një shembull frymëzues për bashkëkombësit e tij. Te jete mbrojtes i vlerave dhe idealeve te vendit duke u shndërruar ne një simbol te gjalle te kombit. Një pike e tille, referimi na duhet me doemos, qe te mos sillemi si Diogjeni ne mesin e ditës, me pishtar ne duar për te kërkuar jo vetëm një njeri te drejte, por edhe një president te denje, qe mbi te gjitha refuzon te kthehet ne marionetë e lojërave te pushtetit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›