E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chen Guangcheng

03-05-2012 / “Nju Jork Tajms”

Aktivisti kinez Chen Guangcheng, i cili iku nga arresti shtëpiak dhe kërkoi strehim tek amerikanët, është një njeri me guxim të jashtëzakonshëm. Ai është një avokat i verbër autodidakt dhe ka bërë fushatë të palodhshme kundër aborteve dhe sterilizimeve të detyruara, të cilat janë në themel të politikës kineze për një fëmijë. Kjo çështje po krijon tensione të reja të ashpra në marrëdhëniet amerikane me Kinën, teksa dy vendet kanë planifikuar të mbajnë takimin e tyre të përvitshëm për Dialog Strategjik dhe Ekonomik. Sipas programit, dhjetëra zyrtarë të lartë do të takohen këtë javë në Pekin për të diskutuar agjenda të rëndësishme, përfshirë zhvlerësimin artificial të monedhës kineze, mosmarrëveshjet lidhur me të drejtat e autorit dhe se sa do të ndihmojë Kina në frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit si dhe në ndalimin e programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nevojitet të punojnë me Pekinin. Por, siguria e z. Chen dhe e familjes së tij nuk është e negociueshme. Nuk do të kishte kurrfarë krize nëse autokratët e Kinës nuk do të kishin mohuar të drejtat bazike të popullit të tyre. Kina, e cila është e etur për respekt në arenën ndërkombëtare, do ta dëmtojë më tej reputacionin e saj nëse vazhdon të abuzojë me qytetarët e saj. Në vitin 2006, Z. Chen u dënua me 51 muaj burg nën akuzat false të shkatërrimit të pronës dhe për grumbullimin e një turme për të ndërprerë trafikun. Lirimi i tij në vitin 2010 duke do të thoshte liri. Autoritetet lokale e vendosën atë nën një formë të paplanifikuar arresti shtëpiak me polici përreth fermës së familjes së tij në provincën Shandong. Në një video të postuar në Internet të Premten, z. Chen thotë se ka qenë subjekt i trajtimeve “brutale”, duke përmendur mes të tjerash edhe një incident “kur më shumë se një dyzinë burrash sulmuan gruan time” dhe po ashtu “dhunshëm më sulmuan edhe mua”. Nuk ka dyshim se ai ndërmori masa të dëshpëruara. Sipas “The Times”, ai ngjiti murin në anë të shtëpisë, u dha truprojave të tij “byzylykun” dhe udhëtoi më shumë se 300 milje për të mbërritur në Pekin ku besohet se është strehuar nga diplomatët amerikane. Por ka shqetësime serioze lidhur me atë se çfarë i ka ndodhur gruas, vajzës dhe të tjerëve që ndihmuan arratisjen e tij. Administrata Obama ka folur herë pas here për z. Chen, përfshirë edhe një fjalim të nëntorit të kaluar kur Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Rodham Klinton, dha alarmin për arrestin e vazhdueshëm shtëpiak. Të dielën, pasi z. Chen kërkoi mbrojtje, ndihmës/sekretari i shtetit, Kurt Campbell, u dërgua pa zhurmë në Pekin. Në një konferencë për shtyp të hënën, Presidenti Obama nxiti Kinën të përmirësojë të drejtat e njeriut, duke thënë se ky shtet ?do të jetë më i fortë nëse hap dhe liberalizon sistemin e vet, por ai refuzoi të bënte çfarëdolloj komenti për çështjen e z. Chen. Në krahun tjetër, as zyrtarët kinezë nuk flasin publikisht për këtë rast; shpresojmë që kjo të nënkuptojë se ata po kërkojnë gjetjen e një rrugëzgjidhjeje. Dhe, për tani, tek diplomacia e qetë mund të jetë shansi më i mirë për zgjidhje. Ne nuk e dimë me siguri se çfarë kërkon z. Chen - azil në Shtetet e Bashkuara apo, sikundër kanë thënë aktivistët, siguri që do ta lejonte atë të mbetej në Kinë. Në videon e javës së kaluar ai ofroi një rrugë të mundshme për të shpëtuar fytyrën: I bëri apel kryeministri Wen Jiabao që të ndërhynte personalisht duke hetuar çështjen dhe duke ndëshkuar “ata të cilët urdhëruan që policët dhe zyrtarët në nivel qarku të bastisin shtëpinë time, të më rrahin dhe lëndojnë, të më mohojnë kujdesin mjekësor - pa asnjë bazë ligjore”. Kjo mund t’i japë mundësinë Pekinit të fajësojë autoritetet lokale për keqtrajtimin edhe pse kultura e abuzimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut fillon që në majë të piramidës shtetërore. Zyrtarët e korruptuar dhe mosrespektimi i sundimit të ligjit janë kërcënim i madh për Kinën, jo z. Chen me shokë, të cilët guximshëm mbrojnë të drejtat e njeriut. Z. Wen thotë se kërkon reforma politike. Ky është momenti që ai të tregojë se Kina është e gatshme të nisë një rrugë të re, më të ndershme dhe më të qëndrueshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›