Më mirë të mos kishe ardhur zoti Fyle!
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian kushtëzoi marrjen e ftesës së Shqipërisë me një kusht të ri, i cili në të vërtetë peshon për qeverinë shqiptare më shumë se 12 kushtet e marra së bashku. Ai kërkoi para parlamentit, por dhe para gazetarëve, hedhjen dritë përmes gjykimit të drejtë të 21 Janarit. Kushti për drejtësi për 21 Janarin ka ardhur pas një veprimi arrogant të kryeministrit shqiptar, i cili ndikoi mbi gjykatat të hidhnin poshtë ekspertizën e FBI dhe të mos çonin para drejtësisë Komandantin e Gardës, që është akuzuar përtej dyshimeve për vrasjen e së paku një demonstruesi.
Nëse Komisioneri për Zgjerim i qëndron kësaj deklarate dhe e kthen vërtet në kusht për marrjen e ftesës hetimin e 21 Janarit dhe gjykimin e drejtë të tij, atëherë është e sigurt se ne nuk do të kemi një ftesë për në Bashkimin Evropian. Por kjo është e keqja më e vogël. E keqja e madhe është se Berisha nuk ka dëshirë që ti ngelet në dorë dopio-gjashta e mosmarrjes së ftesës për shkak të mosgjykimit të vrasjeve të 21 Janarit dhe ka për të sabotuar disa prej dymbëdhjetë pikave standarde. Në rrezik tani e tutje është çdo kusht i papërmbushur për marrjen e ftesës dhe sidomos ndonjë kusht në të cilën kërkohet dhe firma e opozitës.
Nevoja e Berishës për një alibi të re për mosmarrjen e ftesës tanimë është urgjente. Meqë reforma për gjykatën administrative mbaroi dhe ai nuk e kthen dot mbrapsht, jam i sigurt se ai do të sabotojë reformën parlamentare, ose do të tentojë të nervozojë opozitën me reformën zgjedhore në pika provokative, me qëllim që gjithçka të ngrijë. Dhe në mos do të arrijë ta bëjë fajtore opozitën, ai do të bëjë fajtore gjithë Shqipërinë, duke mos realizuar kushtet, nga të cilat varet nga ritmi i reformave në tërësi, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit, etj.
Pra, është e sigurt se Berisha nuk ka për ta lënë veten dhe ftesën e refuzuar nga Brukseli në dorë të hetimeve të 21 Janarit. 21 Janari për të është një arsye e fortë jo për të mos hyrë në Evropë, por për të mos ikur kurrë nga pushteti dhe për të deformuar çdo proces zgjedhor që të sigurojë imunitet politik. Më 21 janar ai dhe Lulëzim Basha janë persona direkt përgjegjës për urdhrin për hapjen e zjarrit mbi katër demonstrues të pafajshëm dhe paqësor para Kryeministrisë. Pas vrasjeve, Berisha hyri në konflikt me Presidentin, kryeprokuroren, median kritike dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri për shkak të përpjekjeve të tij për të bllokuar hetimet dhe për të ushtruar presion mbi drejtësinë. Një oficer garde që shërben si shofer në familjen e tij, për gruan apo të birin e vet, i shkoi familjarëve të një prej viktimave duke u kërkuar tu ofrojë para dhe dekonspirim të vrasësit me kusht që ata të prisnin në shtëpi Sali Berishën për të realizuar skenarin e tij të vrasjeve nga vetë opozita. Pas dështimit të këtij skenari, ai shpiku skenarin e grushtit të shtetit dhe vazhdon të mbajë të ngritur një komision qesharak parlamentar, i cili pret të mbyllet dosja që të përfundojë afatet e tij. Ekspertiza e ardhur nga SHBA, që shpall vrasës përtej dyshimeve Komandantin e Gardës, nuk e gjunjëzoi, por ai vazhdoi betejën për ta injoruar ekspertizën dhe për të lënë jashtë burgut komandantin që akuzohet për vrasje. Këtë e bën në një kohë kur vetë ai trumbeton me zhurmë se është duke arrestuar ndonjë punonjës administrate që merr 50 euro, apo ndonjë që merr 1 mijë lek si ryshfet.
Aq shumë e kontrollon këtë proces edhe nga ana kanunore, sa shihet qartë se ka lejuar drejtësinë të bëjë të njohur vetëm vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, por nuk shqipton askush vrasësin e Hekuran Dedës apo Aleks Nikajt. Frika se dy qytetarët, njëri nga Dibra dhe tjetri nga Lezha, mund ti përgjigjen me kanun vrasjeve të pabesa të Sali Berishës, ka bërë që ai të frenojë shqiptimin e emrave të atyre që kanë qëlluar mbi ta.
Pra, në këtë spirale që ka hyrë Sali Berisha me vrasjet e 21 Janarit dhe me panikun që mbart se së paku dy vrasjet e dy qytetarëve nga veriu mund ti kthehen në gjak për familjen, për shkak të besës që ky palo burrë u ka dhënë ekzekutorëve të tyre, as që shpresohet që ai të lejojë sa të jetë në pushtet zbardhjen dhe gjykimin e drejtë të 21 Janarit, pasi gjurmët e gjakut të çojnë në zyrën e tij dhe në karrigen e Lulëzim Bashës. Është kjo arsyeja që ai prej sot është duke menduar se si të mos e lërë vetëm kushtin për 21 Janarin për mosmarrjen e ftesës për në Bashkimin Evropian. Ky kusht që përmbys 12 kushtet e tjera, ne të vërtetë do të detyrojë Sali Berishën të stopojë procesin dhe të shtojë disa arsye të tjera përse ne nuk e morëm ftesën. Mos u çudisni kur të thotë që nuk e meritojmë si popull, si shoqëri, si intelektualë, si opozitë, si politikanë… I duhet një bashkëfajësi kolektive. Nuk mund të pranojë kurrsesi që vetëm gjaku i 21 Janarit në duart e tij dhe Lulëzim Bashës të mbajë Shqipërinë larg Evropës. Do të gjejë dhe diçka tjetër që të mos duket se ngelëm jashtë Evropës vetëm pse kemi në krye një vrasës! Ç’na bëre Stefan Fyle, ç’na bëre! Më mirë të mos kishe ardhur!
