E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fshati Mezhgoran i Tepelenës i njohur për produktet e bujqësisë dhe blegtorisë

Mersin Cani është një fermer nga fshati Mezhgoran i Tepelenës.

Gjatë gjithë jetës së tij, ai është marrë me bujqësi dhe blegtori, duke e konsideruar punën me tokën jo thjesht një burim të ardhurash, por si një formë përmbushjeje shpirtërore dhe fizike.

“Bujqësia është punë… të rrosh, të jetosh. Që në moshën 15-vjeçare dhe sa vajta, 60 vjeç, kam qenë në majë të Shëndëllisë, Trebeshinës. Të punosh është pasuri e madhe: edhe trupin e ke në gjendje, edhe për ekonominë nuk ia shtrin dorës asnjeriu,” thotë z. Cani.

Së bashku me bashkëshorten, ata marrin toka me qira dhe i kultivojnë me kultura të ndryshme bujqësore gjatë gjithë vitit. Përkushtimi i tyre është shembull për shumë të tjerë në zonë.

“Tani po pastroj barin e lig, që s’e han bagëtia. Grurë, misër… tërë vitin këtë punë kemi. Tani heqim tërshërën. E punojmë, e plugojmë dhe do ta mbjellim prapë o grurë, o tërshërë, o elb,” tregon fermeri.

Fshati Mezhgoran është i njohur për kultivimin e grurit, misrit dhe jonxhës, kultura që kanë qenë prej vitesh baza e ekonomisë familjare për shumë banorë të zonës.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›