Fshati turistik, banorët e Kakomesë në protesta
Sarandë - Kakomeja vazhdon të jetë molla e sherrit mes banorëve dhe firmës ndërtuese të fshatit turistik. Ata nuk kanë lejuar sot depërtimin e mjeteve të rënda të firmës e cila ishte nisur me bazën materiale dhe punëtorët për të nisur punën. Por banorët kanë bërë gardh me trupat e tyre duke mos lejuar depërtimin e firmës ndërtuese në këtë zonë. Në mbrojtje të banorëve ka qenë edhe Kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kume. Ai është shprehur se territori është në menaxhimin e komunës dhe askush nuk mund të bëjë ndërtime pa avrovimin e saj.
Ndërkohë në vendngjarje kanë qenë edhe forca të shumta policie, por nuk kanë ndërhyrë thjesht kanë ndjekur zhvillimin e situatës. Bëhet fjalë për policinë e rendit të Komisariatit të Sarandës si dhe për një polici private që shoqëronte makinat e firmës.
Banorët kanë qendruar në rrugë përgjatë gjithë ditës dhe janë zotuar se nuk lëvizin nga rruga pa ikur më parë firma e ndërtimit me mjetet e saj. Madje ata kanë ndezur edhe një zjarr, pasi i ftohti që ka përfshirë vendin ka prekur edhe bregdetin.
Kjo është e disata herë që prej vitit 2004 që banorët e Nivicës i bëjnë pritë ndërtimit të fshatit turistik në këtë zonë. “Nuk lejojmë ndërtimin e fshatit, pasi aty kemi pronat tona. Më parë duhet të bëhet një marrëveshje me banorët”, u shprehën protestuesit.
Në fillim të korrikut të këtij viti, KRRT-ja e Qarkut të Vlorës ka miratuar zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë. Këshilli miratoi me shumicë votash, zgjatjen e lejes së ndërtimit për Fshatin Turistik, të Kakomesë. Ky vendim i organit vendimmarrës ne fushën e ndërtimeve ne shkallë qarku, i dha Ok kompanive ndërtuese, për të zgjatur afatin e lejes ndërtimore, leje e cila ishtë kërkuar në qarkun e Vlorës nga vetë firma.
Afati kohor i kësaj leje ishte deri në datën 23.6.2007. Punimet e këtij objekti kanë filluar dhe janë ndërprerë për shkak të problemeve gjyqësore midis investitorit dhe pronarëve të tokës.