E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina në protestë: Jo planit Ban Ki Moon

Me moton “Në Mbrojtje të Sovranitetit”, mijëra qytetarë protestuan sot në Prishtinë kundër planit gjashtë pikësh te Ban Ki Moon-it, i cili rrezikon sovranitetin territorial të Kosovës.

Protestuesit përmes pankartave dhe brohoritjeve, “jo ndarje”, “sovranitet”, “referendum” etj, shprehën vullnetin e tyre kundër kushteve të Beogradit për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Marshimi i protestuesve, nisi nga Biblioteka Kombëtare dhe ndaloi para Parlamenti të Kosovës. Këtu disa nga organizatorët e protestës në fjalimet e tyre ftuan udhëheqësit kosovar që të vazhdojnë të refuzojnë planin e OKB-së.

Alban Bokshi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste tha se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. “Për secilën çështje kapitale për Kosovën duhet të vendosë populli i Kosovës, ndërsa referendumi është mekanizmi më i drejtë”, tha ai.

Ndërsa, Xhavit Jashari, në emër të shoqatave të dala nga lufta, ka thënë para protestuesve se nëse realizohet plani gjashtëpikësh i Sekretarit të OKB-së, Ban Ki-Moon, atëherë pavarësia e Kosovës do të jetë farsë.

Protestuesit në fund ndaluan tek selia e dikurshme e Misionit të Kombeve të Bashkuara, e cila tash i është transferuar misionit evropian - EULEX.

Para selisë së EULEX-it organizatorët mbajtën fjalime duke shprehur kundërshtimet ndaj planit të lartëpërmendur.

Protesta është organizuar nga Rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë dhe është mbështetur nga disa parti politike në Kosovë.

Protesta vjen në kohën kur Prishtina zyrtare gjendet nën presion diplomatik për të pranuar planin 6 pikësh të kreut të OKB-së, Ban ki Moon për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.(INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›