Fshehën aksidentin, ndjekje penale mjekes dhe infermierit
Policia: Mbrojtën një të njohurën e tyre, ekonomiste në qytet
Korçë – Një kirurge dhe një infermier i spitalit të Korçës janë vënë në ndjekje penale, pasi dyshohet se kanë tentuar të fshehin një aksident automobilistik me pasoja të rënda. Policia e Korçës tha dje se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për mjeken kirurge me inicialet E. K, 60 vjeç, si dhe infermierin me inicialet A.K, 41 vjeç, që të dy banorë të Korçës.
Këta punonjës të spitalit, duke qenë me shërbim në urgjencën e spitalit rajonal të Korçës, nuk kanë njoftuar policinë për shtrimin në spital të një personi të aksidentuar, por e kanë fshehur këtë, thanë burime zyrtare të policisë.
Të akuzuar tashmë për shpërdorim detyre, si dhe për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, si mjekja kirurge edhe infermieri i spitalit rajonal të Korçës, të denoncuar nga policia do të jenë në ndjekje penale në gjendje të lirë. Policia dyshon se dy bluzat e bardha që kanë qenë me shërbim në urgjencë dhe kanë synuar të favorizojnë një person që kishte kryer aksident të rëndë automobilistik për shkak të njohjeve apo influencave.
Ka qenë një banore e qytetit të Korçës me profesion ekonomiste, Ermira Çano, e cila rreth orës 14:30 të së premtes, duke drejtuar mjetin me targa AA 455 FX, ka aksidentuar në një rrugë të lagjes 5 në Korçë një 68-vjeçar nga fshati Bitinckë i Devollit. I moshuari i dëmtuar rëndë është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Policia që ka kërkuar hetimin e shkaqeve për fshehjen e pasojave të këtij aksidenti të rëndë tha se dyshohet që mjekja kirurge dhe infermieri mund të kenë synuar fshehjen e të dëmtuarit dhe për të lehtësuar pozitën e ekonomistes korçare, mund të deklaronin më pas vdekjen si natyrale të të moshuarit. G.A
Fshehën aksidentin, ndjekje penale mjekes dhe infermierit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email