Prioriteti i Ramës, Greqia - jo Statusi

Kreu i PS po e paraqet thuajse si një kusht të ri nevojën e nënshkrimit të menjëhershëm të marrëveshjes detare me Greqinë, duke mos u shqetësuar fare për apelet e ndërkombëtarëve, që kërkojnë miratimin e ligjeve të statusit. Ngutja e Edi Ramës meriton një hetim të plotë nga agjenci të specializuara, si dhe nga parlamenti shqiptar, pasi opozita po tregon se ka prioritet Greqinë, krizën e saj dhe investimet e saj, dhe jo marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria
Ndërsa partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë lëshojnë apele drejt Partisë Socialiste të ngrihet mbi interesat e Gramoz Ruçit në qarkun e Fierit dhe të votojë tre ligjet që hapin dritën jeshile për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE; kreu i opozitës Edi Rama në deklaratën e djeshme për media jo vetëm që nuk përmend gjëkundi afatin e fundit të votimit të BE, që është seanca e së enjtes, për të miratuar tre ligjet por iu rikthye çështjesh së përcaktimit të kufijve detarë me vendin fqinj Greqinë. Kryetari i Partisë Socialiste nuk iu përgjigj thirrjeve të eurodeputetëve të majtë dhe të djathtë të Parlamentit Evropian apo atyre të komisionerëve Cecilia Malmstrom e Stefan Fyle, por çuditërisht përsëriti për herë të dytë me kërkesën për negociata të reja, sa më shpejt, me Greqinë për ujërat detarë. Si duket, marrëveshja me Greqinë është dhe kushti radhës i Edi Ramës pas kushtit të qarkut të Fierit, si një prioritet mbi 12 prioritet e Bashkimit Europian.
Lobingu i Ramës për negociata të reja mes dy vendeve është i panevojshëm kur në tavolinë janë çështje të një rëndësie të veçantë për interesat evropiane të vendit. Ngutja e Ramës kërkohen në miratimin e reformave dhe përgjegjshmëria e tij për interesat kombëtare do të ishte më e nevojshme në votimin e tre ligjeve pararendëse të marrjes së statusit të vendit kandidat sesa ngutja për një negociata të reja me Greqinë që kërkon ekspertizë shkencore dhe ligjore ashtu siç e parashtron vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nga ana politike, kreu i opozitës Edi Rama nuk po kërkon me ngulm që negociatat duhen hapur pas zgjedhjeve të qershorit të 2013, ku PS-ja të premtojë se do t’i ndajë më mirë kufijtë me Greqinë. Por po i bën presion publik qeverisë Berisha të negociojë një marrëveshje të re me Greqinë. Megjithatë në kushtet kur Greqia dhe Rama kërkojnë caktimin e kufijve detarë me Shqipërinë, ministri Panariti e theksoi edhe dje se një marrëveshje e re pas rrëzimit të së parës nga Gjykata Kushtetuese do të kërkojë kohë. Ndërsa padurimi i Edi Ramës për të pritur “mot” më të mirë për negociata me Greqinë është sa i çuditshëm po aq i dyshimtë. Dyshime që do të ishte e nevojshme të hetoheshin në mënyrë të specializuara jo vetëm nga një komision i posaçëm parlamentar, por dhe nga agjenci të specializuara në parandalim të akteve që cenojnë sigurinë kombëtare.
Sidoqoftë në 100 vjetorin e Pavarësisë me një jerm të paparë shefi i opozitës është angazhuar në një tentativë të padrejtë për të zhvlerësuar festimet zyrtare jo vetëm me gjykime estetike subjektive që do të kërkonin në psikanalizë të thellë, por dhe të ndezjes së një frymë antagoniste me shtetin, tipike komuniste, që kërkon të poshtërojë të kaluarën (jo ta vlerësojë) për të ndërtuar njeriun e ri socialist.
Qëndrimi - Kufijtë me Greqinë, Panariti: “Për paktin e ri duhet kohë”/Nga rritja e shovinizmit në rajon vuan edhe Greqia, por këto tendenca mund të shuhen me dialog. Këtë përgjigje dha kreu i diplomacisë shqiptare Edmon Panariti për Ministrin e Jashtëm grek Dimitris Avramopulos. Në kushtet kur Greqia kërkon caktimin e kufijve detarë me Shqipërinë, ministri Panariti tha se një marrëveshje e re pas rrëzimit të së parës nga Gjykata Kushtetuese do të kërkojë kohë. “Nuk ekziston asnjë marrëveshje për delimitimin e ujërave apo ndarjen e zonave të ekskluzivitetit ekonomik. Jemi të interesuar pa dyshim për arritjen e një marrëveshje të tillë, po për këtë kërkohet kohë, kërkohet që të zhvillohet në respekt të institucioneve ndërkombëtare dhe ligjeve të vendit. Ajo që është më kryesore është që marrëveshja e re duhet të jetë një marrëveshje që të jetë e pranueshme nga të dy palët në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe e pranueshëm”, theksoi Edmond Panariti, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Deklaratat e Ministri i Jashtëm i bëri pas takimit me homologun kosovar Enver Hoxhaj.