Ftesa e Ramës, PD: Nuk është koha për debate
Berisha i përgjigjet Ramës për debatin publik përmes zëdhënëses së PD-së.
“I gatshëm për debat vetëm para zgjedhjeve të 2013-ës”.
TIRANË Kryetari i PS-së, Edi Rama e ka kërkuar debatin publik në një kohë të papërshtatshme. Ftesës online të kryetarit të opozitës për një debat publik, kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur përmes zëdhënëses së PD-së, Albana Mustafaraj. Kjo e fundit ka sqaruar dje se kryeministri Berisha është i gatshëm për debat vetëm para zgjedhjeve të 2013-ës. “Gjatë fundjavës, zoti Rama e ftoi kryetarin e PD-së, zotin Berisha, në një debat publik. Zoti Berisha ka qenë i gatshëm për të debatuar me të në të shkuarën. Ai e ftoi zotin Rama për të debatuar për zgjedhjet e vitit 2009 dhe është i gatshëm për të debatuar me liderin e opozitës përpara zgjedhjeve të vitit 2013, por zoti Berisha beson se tani nuk është kohë për debate, veçanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në kongresin e ardhshëm të partisë së zotit Rama”, - tha Mustafaraj. Berisha përgjigjet përmes saj se, tani nuk është koha për t’u fokusuar mbi mosmarrëveshjet e tyre. “Partia Demokratike beson se tani është koha për t’u fokusuar në ato çështje, ku ne mund të biem dakord dhe t’i realizojmë ato në të mirën e qytetarëve shqiptarë. Qytetarët shqiptarë kanë pritur për vepra përgjatë dy viteve të shkuara dhe tani që Partia Socialiste është kthyer në Parlament, edhe pse ata ende vazhdojnë të refuzojnë të votojnë, është detyrim i të gjithëve të punojmë për të miratuar çështjet, për të cilat ne mund të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe konsensus”, - tha Mustafaraj. Ajo theksoi se, kryeministri Berisha e ka bërë të qartë gatishmërinë për të bashkëpunuar me PS-në për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. “Nëse z. Rama është thjesht duke u angazhuar në një betejë tjetër politike dhe retorika e tij është e pasinqertë atëherë, ne mendojmë se të gjithë mund ta përdorim kohën më mirë. Por nëse zoti Rama është serioz në lidhje me çuarjen përpara të reformave, PD-ja është e gatshme për të vepruar”, - tha ajo.