Rama: Hetimet e Wikileaks nuk kanë lidhje me Amerikën
“Ne këmbëngulim që të kemi publikisht një qëndrim zyrtar të qeverisë për ofertën tonë;
E do, apo nuk e do kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian?”
TIRANË Kryetari i PS-së, Edi Rama ka kërkuar dje një përgjigje serioze nga ana e kryeministrit Sali Berisha për ofertën prej 10 pikash që ai propozoi pak kohë më parë. ”U kemi shtrirë dorën për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë, duke ndërtuar një proces politik e Parlamentar Europian dhe kemi marrë mbrapsht fraza që s’kanë asnjë lidhje me asnjë nga çështjet që kemi shtruar. Insinuata në media, akuza në foltoren e Kuvendit apo deri shpifje banale dhe fyerje personale mbi asfaltin e një rruge fshati nga vetë Saliu. Po asgjë për vetë paktin. Sidoqoftë, ne këmbëngulim që të kemi publikisht një qëndrim zyrtar të qeverisë për ofertën tonë; E do apo nuk e do kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian? Do apo nuk do kjo qeveri të adresojë bashkë me opozitën në parlament të gjitha kritikat dhe kërkesat e Bashkimit Europian? Do apo s’do kjo shumicë parlamentare të punojë me opozitën parlamentare për të rimëkëmbur shtetin, reformuar drejtësinë, garantuar pavarësinë e institucioneve me një proces politik europian?”, - tha dje Rama para deputetëve demokratë. Kryetari i PS-së i është referuar sërish edhe një tjetër çështjeje që lidhet me debatin publik të kërkuar nga vetë ai, fundjavën e kaluar. “Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë. Meritojnë të dinë çfarë kemi për t’i thënë njëri tjetrit sy më sy dhe në sy të tyre për ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Meritojnë të dinë nga ne, në një debat të hapur çfarë synojmë, ne, opozita, pikë për pikë, me këtë ofertë me një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa dhe si mund ta bëjë Saliu si gjithë Europa Shqipërinë pa këtë pakt me opozitën. Nëse nuk e pranon ofertën tonë, natyrisht”, tha ai. Në të njëjtën kohë, Rama la të hapur edhe mundësinë për sugjerime të tjera nga ana e PD-së për Paktin. “Nëse Saliu ka një kundërofertë në kërkim të mirëkuptimit me opozitën për të mbushur gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit, është i ftuar t’a paraqesë. Do ta shohim atë me shumë vëmendje dhe do të angazhohemi plotësisht për ta vënë në jetë nëse i adreson më mirë se oferta jonë ekzigjencat e Bashkimit Europian ndaj qeverisë dhe ndaj opozitës”,- tha ai. Rama ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin e PS-së lidhur me pikën më të debatueshme të Paktit; për kabllogramet. “Dua të risqaroj këtu qëndrimin tonë lidhur me pikën 9, ku kemi përfshirë faktet apo akuzat e dala në dritë nga kabllogramet. Është kapur si i mbyturi pas fijes së barit qeveria në këtë pikë, për ta shpërfillur paktin dhe për të vazhduar të shpërfillë tërë llumëtirën e dalë prej kabllogrameve lidhur me pushtetin e sotëm dhe figurat e tij. Madje duke yshtur altoparlantët e vet në ekranet dhe gazetat që ushqehen në oborrin e pushtetit, që të shkojnë deri në çmendurinë që ta quajnë përfshirjen e kabllogrameve në këtë pakt, si një kërcënim të opozitës për Amerikën, apo të thonë se ne dashkemi të hetohen ambasadorët e vendit më të madh mik. Të jemi shumë të qartë! Kërkesa jonë s’ka lidhje gjëkundi me Amerikën, apo me miqtë e çmuar amerikanë që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në Shqipëri në mbështetje të popullit shqiptar! Pikë!”, -tha ai