E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, Berisha-Ramës: Kundër ndarjes së pushtetit në tavolinë

Kryeministri ka theksuar sërish para deputetëve demokratë se mazhoranca është e gatshme të negociojë për dy pika nga pakti i kërkuar; reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare.

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së për të sqaruar edhe njëherë kryetarin e opozitës, Edi Rama, se përgjigja e tij e deritanishme rreth paktit të propozuar nga PS-ja, ka qenë serioze. Berisha ka theksuar sërish para deputetëve demokratë se mazhoranca është e gatshme të negociojë vetëm për dy pika nga pakti i kërkuar; reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. “I nderuar zotëri, jemi plotësisht të vendosur të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të vendit për reformën zgjedhore. Në koncept të qëndrimit tonë të vendosur, të hapur, ne kemi paraqitur dhe sërish e ritheksoj se ne jemi të gatshëm, në kushte pariteti, të ulemi në një komision parlamentar të reformës zgjedhore. Komision, i cili duhet të ketë axhendë të tij adresimin e 52 rekomandimeve, të dy ekipeve të OSBE/ODIHR-it, ekipit që vëzhgoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ekipit që vëzhgoi zgjedhjet lokale...Tani këto dy ekipe kanë vendosur gishtin në të tëra problemet, kanë listuar të gjitha çështjet që duhet të adresohen në amendime ligjore ose me vendime të tjera të institucioneve të tjera, për të cilat ne jemi 100% të hapur”, - tha dje Berisha. Por, Kryeministri ka paralajmëruar në të njëjtën kohë se mazhoranca nuk do të pranojë asnjë propozim, që do të kërkojë domosdoshmërisht ndryshime në Kushtetutë. “...Çdo përpjekje për të devijuar prej saj (Kushtetutës) përbën një devijim thelbësor të demokracisë. Nuk ka kontratë më të madhe për një komb të qytetëruar, sesa Kushtetuta. Nuk ka marrëveshje më të madhe dhe më të rëndësishme, sesa Kushtetuta. Në qoftë se bëhen propozime për të na nxjerrë jashtë këtij kuadri, këto bëhen me qëllimin e vetëm për të bllokuar, për të justifikuar politikën e bllokimit, sepse siç e shihni, uroj që të mos jenë farsë propozimet e tij”, - tha ai. Kryeministri ka përsëritur gjithashtu edhe qëndrimin e tij për ndryshimet në rregullore të kërkuara nga PS-ja, duke propozuar që delegacioni ynë në Parlamentin Evropian, të autorizojë një apo dy deputetë nga pozita dhe opozita, për të ballafaquar rregulloren e Parlamentit Europian me atë të Kuvendit shqiptar. Por, sa i gatshëm është treguar për çështjet sa më sipër, aq edhe prerë i ka pritur propozimet e tjera të paktit që lidhen me drejtimin e Bankës së Shqipërisë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. “Zotëria premtoi në unison se do të votojë dhe pastaj, për të mos votuar, lëshoi një seri ultimatumesh. Këto, ne nuk mund t'i pranojmë jashtë rregullit kushtetues. Ne i themi, zotëri nuk kemi votat për Avokatin e Popullit dhe ai thotë jo, dua edhe Guvernatorin, dua edhe KLD-në. Jo zotëri, ti nuk mund të bëhesh kurrë shumicë, sa të jesh pakicë. Shumicë të bëjnë shqiptarët ty, nuk të bën Sali Berisha. Sali Berisha dhe kjo mazhorancë të respekton, por shumicë janë të tjerë ata që përcaktojnë shumicat dhe pakicat në zgjedhje”, - tha ai. Për pasojë, ai shtoi se opozita ka plotësisht të drejtë për reformën zgjedhore apo atë parlamentare, por jo për çështje të tjera, që sipas Berishës lidhen me “probleme të ndarjes së pushtetit në tavolinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›