E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesë dhe shantazh

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ambasadori amerikan, Christopher Dell sërish iu kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por presioni i Beogradit që serbët të bojkotojnë edhe këto zgjedhje po forcohet gjithnjë më shumë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic,ua ka tërhequr vërejtjen serbëve të Kosovës që janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e 15 nëntorit se do tu ndërpritet rroga nga Beogradi nëse hyjnë në institucionet kosovare të pushtetit lokal.

Nuk është e mundur që njeriu njëkohësisht të ketë dy vende të punës dhe ti marrë dy rroga. Nuk është e mundur që njeriu të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, me seli në Graçanicë, për shembull, dhe të jetë kryetar i Komunës së Graçanicës, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të Kosovës, thënë Ivanovic, i cili më herët, vetë ka qenë zyrtar në institucionet e Kosovës.

Ai i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se serbët duhet të mendohen mirë para se të marrin vendim për të dalë në zgjedhje, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se pjesëmarrja në zgjedhje, tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk është njësoj si më përpara.

Druhem se nuk po kuptojnë se me pjesëmarrje në zgjedhje bien në kurth, sepse me vrapimin individual, ndoshta e sjellin në rrezik pozicionin e të gjithë serbëve ndaj Qeverisë së Serbisë. Të gjithë serbët e Kosovës sillen në pozicion të vështirë, për shkak të individëve, të cilët mendojnë se me daljen në zgjedhjet e Kosovës, e zgjidhin ndonjë problem të vetin personal, apo problemin e një grupi të vogël, ka shtuar Ivanovic.

Nga ana tjetër, Kryeministri Thaçi dhe Ambasadori Dell gjatë një vizite në familjen e Dusan Jorgicit në Lipjan, kanë përsëritur thirrjen që serbët të jenë pjesë e procesit zgjedhor më 15 nëntor, sepse është në interesin e tyre.

Thaçi është shprehur i inkurajuar nga zotimi i familjes Jorgic dhe, siç tha ai, i komunitetit serb për pjesëmarrje edhe më të madhe në zgjedhjet lokale të nëntorit.
Janë këto zgjedhje shumë të rëndësishme për të ardhmen e çdo familjeje, për të ardhmen e vendit tonë. Prandaj, participimi i të gjitha komuniteteve dhe atij serb është jetik. Prandaj, zotimi i familjes Jorgiq dhe i gjithë komunitetit serb në përgjithësi është mjaft inkurajues për vendin tonë. Kosovën po e ndërtojmë bashkërisht, e ardhmja është e përbashkët dhe është e sigurt për të gjithë, pa dallim, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Më tutje kryeministri Thaçi tha se çdo kryetar i ri i Komunës i dalë nga zgjedhjet lokale do të ketë obligim të ndërtojë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës, hapësira gjelbërimi. Unë jam mjaft i inkurajuar për këtë klimë të mirë ndërfqinjësore, ku jetojnë serbët dhe shqiptarët.

Në shtëpinë e familjes Jorgic, Thaçi dhe Dell kanë diskutuar me nikoqirin për problemet dhe hallet e përditshme dhe mundësinë e ndërtimit të një jete edhe më të mirë, jo vetëm për komunitetin serb por për të gjithë qytetarët në përgjithësi.

Janë këto angazhime të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Kosovës, autoriteteve lokale, Qeverisës së SHBA-ve dhe ambasadorit Dell, për fillimin e jetës së re në Kosovë, për ndërtimin e vendit demokratik, shumetnik dhe të tolerancës, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa, kryefamiljari Dino Jorgic ka shprehur pakënaqësinë për jetën e vështirë, mungesën e punës dhe mirëqenies sociale, por ka theksuar se nuk ka frikë të jetojë në Kosovën.

Kryeministri Thaçi dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i kanë premtuar familjes Jorgic se do ta ketë mbështetjen e Qeverisë qendrore dhe asaj lokale.

Thaçi dhe Dell janë takuar të mërkurën edhe me kryetarin e ekipit për përgatitor për Komunën e Kllokotit, Refik Halili, i cili të martën ishte sulmuar nga persona ende të panjohur.

Kryeministri i Kosovës dhe Ambasadori i SHBAsë e kanë dënuar sulmin si një akt të ulët, shumë qyqar, dhe të papranueshëm. Ndërkaq, Ambasadori Dell ka thënë se Refik Halili përfaqëson të ardhmen e këtij vendi i cili tregon vullnetin për të punuar me fqinjët e tij pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›