E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftohen prapë

Pesë ditë pas takimit që kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) pati në selinë e FIFA-s me krerët e nivelit më të lartë të futbollit botëror, të enjten ka arritur ftesa për një takim tjetër më 25 nëntor në selinë e FIFA-s, ku do të marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu dhe Dr. Haki Demolli, të cilët do ta prezantojnë materialin ligjor të kërkuar nga zyrtarët e FIFA-s. Takimi pritet të mbahet në shtëpinë e FIFA-s, në orën 10, shkruan në letrën e FIFA-s të dërguar nga zëvendëssekretari i saj, Markus Kattner.

Materialin ligjor e kemi përgatitur më parë, por kemi kohë që ta kompletojmë atë. Kryesisht do të bisedohet për çështjen e kontratave, e cila ishte njëra nga kërkesat tona në takimin e parë në FIFA. Për këtë, në mbledhjen e 25 nëntorit do të flasë Haki Demolli. Ndërsa unë do ta prezantoj një dosje me argumente se si ka funksionuar Federata e Futbollit e Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë, u shpreh sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, të mbajtur të enjten, është miratuar edhe raporti i delegacionit të FFK-së për vizitën në selinë e FIFA-s, që është cilësuar si jashtëzakonisht e frytshme dhe domethënëse për futbollin e Kosovës, vizitë kjo që, sipas FFK-së, ka hapur një faqe të re për futbollin e Kosovës.

Delegacioni i FFK-së ishte pritur para një jave në shtëpinë e futbollit botëror nga kryetari i saj, Sepp Blatter. Pala kosovare ia kishte parashtruar FIFA-s katër kërkesa, duke përfshirë edhe atë për pranim të plotë në këtë asociacion. Zyrtarët e FIFA-s kanë premtuar se kërkesat e FFKsë do të shqyrtohen me kujdes dhe duhet shkuar hap pas hapi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›