Austriakët: “Në Shqipëri, më vështirë se në Azerbajxhan”Trajneri i Austrise, U-21, Hercog pranoi se “misioni Shqipëri” është shumë më i vështirë se sa mund të duket në letër

Rrjetet sociale:
Shpresat e Austrisë mbërritën në Tiranë me misionin e vetëm fitoren, duke e konsideruar “trepikëshin” shqiptar si një hap të madh drejt ndeshjeve plej-of të Kampionatit Europian U-21 2011.
Djemtë e Andreas Hercog pas përballjes me Kombëtaren U-21 të Artan Bushatit, do të kenë punë të mërkurën e ardhshme kundër Azerbajxhanit të vendit të fundit, dhe një sukses i dyfishtë brenda katër ditëve do ta bënte më të lehtë pjesëmarrjen në plej-ofin përpara finaleve të Danimarkës në vitin 2011.
“Nëse ne do t’i fitonim të dyja ndeshjet, atëherë do të kishim një shans të madh. Do të na duhej që në dy ndeshjet e fundit, ato kundër Bjellorusisë (gusht 2010) dhe Skocisë (shtator 2010) të fitonim njërën prej tyre”, - u shpreh Hercog për agjencinë austriake të lajmeve, APA.
Për momentin, Austria ndodhet në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Bjellorusia e Skocia. Vendi i parë shkon direkt në plej-of, në të cilat do të marrin pjesë edhe katër vendet e dyta më të mira të 10 grupeve.
Trajneri austriak e pranoi se “misioni Shqipëri” është shumë më i vështirë se sa mund të duket në letër, pasi sipas tij, do të luajë në shtëpinë e një skuadre që ka mundur të grumbullojë vetëm tri pikë në pesë ndeshje e që kërkon të rehabilitojë imazhin përpara publikut të vet.
“Do të jetë me të vërtetë një detyrë ë vështirë për ne, shumë më e vështirë se ajo që përballuam në Azerbajxhan”, -tha Hercog, duke iu referuar fitores 2-1 në minutat e fundit në ndeshjen e tetorit kundër azerëve.
“Gjithsesi, unë jam optimist se që do t’ia arrijmë qëllimit të marrim pjesë në finalet e Kampionatit Europian, ndërkohë që ëndrra jonë është të marrim pjesë në Lojërat Olimpike 2012”, - theksoi Hercog. Për “Londër 2012” kualifikohen pesë ekipet që renditen të parat në Kampionatin Europian 2011.
Numri i klikimeve - 6197
E Enjte, 12 Nentor 2009