Fule: “Fundi i bojkotit, ndikim pozitiv për statusin në BE”
Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, premton se nëse partitë politike do të bien dakord për të zgjidhur krizën në vend, atëherë një gjë e tillë do të reflektohej pozitivisht në opinionin e Komisionit mbi statusin kandidat të Shqipërisë. “Përsa i takon Shqipërisë, ashtu sikundër e kam shprehur dhe një herë qëndrimin tim, unë inkurajoj partitë politike, si ato në pushtet, ashtu dhe ato në opozitë, që të zgjidhin këtë çështje, që të lejojnë që procesi politik të zërë vend në kuadër të Parlamentit, në platformën e Kuvendit e jo në rrugë”, - ka deklaruar Fule. Ai ka preferuar të mos hedhë hipoteza në rast se partitë shqiptare nuk do të zgjidhin situatën, duke nënvizuar se beson te përgjegjshmëria e tyre. “Me lejoni që të mos spekuloj me këtë çështje se çfarë ndikimi mund të ketë nëse situata nuk do të zgjidhej, duke qenë se shpresoj shumë që të triumfojë përgjegjshmëria, çfarë do të reflektohej me qëndrim pozitiv në opinionin tonë për çështjet e brendshme në Shqipëri”, - ka pohuar Fule. Komisioneri e dha këtë deklaratë gjatë një konference për shtyp, ku prezantoi opinionin pozitiv mbi kandidaturën e Islandës. Ky vend paraqiti pas Shqipërisë kërkesën për statusin kandidat në BE, më 17 korrik të vitit të kaluar dhe 10 ditë më vonë Këshilli i kërkoi Komisionit që të përpilojë opinionin. Pyetësori për rastin e Islandës ishte 350 faqe dhe komisioneri Fule tregoi se negociatat e anëtarësimit me këtë vend mund të zgjasin vetëm 14 muaj.
25 Shkurt 2010