Kryesocialisti Rama thërret në mbledhje Kryesinë e Partisë Socialiste
Mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i ka paraprirë mbledhja e Kryesisë së kësaj partie, e cila është zhvilluar paraditen e djeshme. Kreu i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama, menjëherë ka thirrur Kryesinë pas takimit të dy ditëve më parë me zv.kryetarin e grupit parlamentar eurosocialist, Hans Svoboda, i cili kërkoi bashkëpunim mes palëve politike. Në këtë mbledhje Kryesia u konsultua mbi qëndrimin që do të mbajë PS-ja për bojkotin e Kuvendit. Sipas burimeve nga selia rozë, vendimi për të hyrë ditën e sotme në Kuvend nuk ka të bëjë me një tërheqje nga pozicioni fillestar, por do të merret me qëllim për të mos i dhënë mundësinë kryeministrit Berisha që në ditët e para të marsit e në vijim të devijojë thelbin e krizës politike në vend nga transparenca e zgjedhjeve te humbja ose jo e mandateve të opozitës. Një manovër kjo që, sipas PS-së, do t'i shërbente si një kamerdare kryeministrit, në përpjekje për të larguar vëmendjen e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve nga problemi i vërtetë, që sipas tyre nuk ka të bëjë me mandatet, por me transparencën e zgjedhjeve.
25 Shkurt 2010