E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule, Haxhinastos: Plotësoni 12 rekomandimet

Komisioneri për Zgjerim ne BE,  Stefan Fule është takuar sot me zëvëndeskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ku kanë diskutuar zhvillimet e fundit për sa i përket procesit të integrimit në BE të Shqipërisë.

Komisioneri Fule ka vlerësuar hapat pozitive të muajve të fundit, forcimin e bashkëpunimit të qeverisë dhe opozitës në kuadrin e reformave institucionale.

“Një dialog konstruktiv politik do të sigurojë që Shqipëria të ketë rezultate konkrete për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar, sidomos për reformën zgjedhore dhe reformën e rregullave parlamentare të procedurës. Shqipëria duhet të vazhdojë progresin në plotësimin e 12 përparësive kryesore të Opinionit të Komisionit, me theks të veçantë në fushat e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.”- ka thënë Fule.

Duke përsëritur angazhimin e Komisionit dhe mbështetjen e plotë të këtyre përpjekjeve, Komisioneri Fule ftoi Shqipërinë të përqëndrohet në reformat e gjithanshme të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian.

Më tej, Fule ka theksuar se në mënyrë që një vend te këtë sukses në rrugën drejt BE-së,  është e rëndësishme që kjo të bëhet agjenda kombëtare, për qeverinë, për opozitën dhe për shoqërinë civile. Një proces gjithëpërfshirës është çelësi për suksesin e Shqipërisë në përpjekjet e saj reformuese, ka përfunduar Fule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›