E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Keqardhje që kriza s’është zgjidhur

“Së pari, ju keni absolutisht të drejtë që ngërçi politik po qëndron aty prej një kohe goxha të gjatë, që prej zgjedhjeve të fundit. Daul dhe Schultz, liderët e dy familjeve më të mëdha politike ofruan me të vërtetë hapat e radhës që ishin shumë inkurajues nga Parlamenti Evropian.

Ne luajtëm një rol të vogël duke i asistuar ata. Mendoj se ishin përpjekje të sinqerta për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur një zgjidhje, një zgjidhje transparente në kuadër të Kushtetutës shqiptare. Ne mund veç të ndihemi të keqardhur tashmë, dhe ne ndihemi të gjithë kështu së bashku me kolegët në Parlamentin Evropian, që partitë politike, nga njera anë, qeveria e opozita në tjetrën, nuk e përdorën këtë mundës”, deklaroi Fule për tv Top-Channel.

Gjatë intervistës, Fule është pyetur se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës së negociatave në Strasburg ku ai ishte i pranishëm, por megjithatë ai nuk ka treguar asnjë detaj të “darkës sekrete”.

“Më lejoni të them vetëm që ata nuk arritën marrëveshje, për të qenë në rregull. Ato ishin diskutime pas një dere të mbyllur, e une nuk do të shpalos se çfarë realisht ndodhi përtej këtyre dyerve të mbyllura, që për më tepër ishin diskutime që u drejtuan vërtet nga zoti Schultz e zoti Daul. Për fat të keq e vërteta është se pavarësisht pranisë së opozitës në parlament, ne nuk arritëm në një marrëveshje dhe mirëkuptim politik që do të mënjanonte ngërçin politik, e që do t'i hapte rrugën Kuvendit e partive parlamentare për të punuar në harmoni, veçanërisht për axhendën evropiane.

Kur unë isha në Tiranë, e kudo që kam takuar politikanë nga Shqipëria, kam theksuar një pikë shumë të rëndësishme që stabiliteti i institucioneve, të paturit të një parlamenti që punon, është vërtet një nga kërkesat më kyçe, që prek kriterin politik të Kopenhagenit.”, u shpreh ai më tej.

Fule shtoi se Shqipëria ka bërë progres të madh, teksa ka nënvizuar se nëse palët kanë vullnet të mjaftueshëm kanë instrumentet e duhura për të gjetur një zgjidhje për krizën. Duke folur për opinionin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, komisioneri u shpreh se ai do të jetë objektiv, për të shtuar ende herët për të dhënë detaje të tij pasi ky opinion është në përgatitje e sipër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›