E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Zgjidhni krizën politike, para vizitës sime

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Europiane, Stefan Fule, mbërrin nesër në Tiranë



TIRANË - Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Europiane, Stefan Fule, kërkon që ngërçi politik të jetë zgjidhur, deri ditën e nesërme, kur të mbërrijë në Tiranë, për një vizitë zyrtare. Komisioneri Fule po zhvillon vizita në vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Lidhur me situatën politike në Shqipëri, komisioneri Fule deklaroi se shpresonte shumë në zgjidhjen e ngërçit politik, përmes bashkëpunimit me partitë politike.


"Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do t'u bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj Europiane", - tha ai.


Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Komisioneri për Zgjerimin Fule do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.


Ndërkohë, sot në Kuvend në axhendën e diskutimeve të Kuvendit janë përfshirë nismat e PS-së që kanë lidhje me transparencën e zgjedhjeve, por që përmbajtja e saj pësoi një sërë ndryshimesh thelbësore pas amendimeve të paraqitura dhe të miratuara më pas vetëm më votat e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve.


I vetmi kompromis i fundit që mund të bëhet është pikërisht sot në Kuvend, e cila po kërkohet me ngulm edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›