E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, ambasadorët: Qeveria të mos ndërhyjë tek SHISH

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, organizon një tryezë për SHISH-in. Moisiu apelon për pavarësi të SHISH-it


TIRANË - Ndryshimet e fundit të draftit për SHISH-in të miratuara dy ditë më parë nga Komisioni i Sigurisë në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës, nuk kanë ndryshuar qëndrimin e ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë, për përmbajtjen e saj.


Në tryezën e organizuar dje nga Fondacioni "Moisiu" pikërisht për sensibilizimin e rëndësisë së shërbimit informativ shtetëror, ambasadorët në Tiranë, por edhe ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, kanë apeluar për përgjegjshmëri nga mazhoranca, si dhe për sigurimin e një SHISH-i sa më të pavarur nga politika.


Ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi dje gjatë tryezës së organizuar se ideja nuk ishte në nxitjen e debateve, por shkëmbimin e mendimeve, dhe dhënien e një ekspertize, në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë, që të dalë si një demokraci e fortë dhe e padiskutueshme. "Roli i shërbimeve informative është të mbrojnë sigurinë e vendit.


Por, të gjithë ne kemi parë shumë shpesh, në ato vende që nuk janë demokratike, që ai rol shtrembërohet dhe, në fakt, shndërrohet në rol për të mbrojtur ata që janë në pushtet pikërisht nga ata njerëz që ata qeverisin", - tha Uidhers.


Ai shtoi: "Jemi të gatshëm të ndihmojmë për ofruar të gjitha këto shërbime për të parë reformat e shërbimit informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm. Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit në shërbimin informativ në drejtimin e gabuar". Ndërsa Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, është shprehur se shqetësimet që kanë lidhje me ligjin e SHISH-it ia kanë shprehur qeverisë.


"Nuk dimë ndryshimet e miratuara, nuk kemi parë versionin e rifreskuar të pr/ligjit që ka rëndësi shumë të madhe. Shqetësimet tona ia kemi paraqitur qeverisë pasi në të mungon edhe dallimi polici-SHISH", - tha Bosch. Ndërsa ambasadorja britanike, Fiona McIlëham, është shprehur që institucioni i SHISH-it ka nevojë edhe për reforma të tjera. Ajo foli për Shërbim të depolitizuar, e cila mbështet interesat demokratike të Shqipërisë dhe gëzon një reputacion ndërkombëtar pozitiv.

Moisiu


Gjatë fjalës së mbajtur pikërisht për SHISH-in, ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, deklaroi se në një vend demokratik, bazuar në përvojën europiane dhe atë botërore të përparuar, raporti midis institucioneve kushtetuese merr një rëndësi të veçantë. Ky raport, sipas tij, duhet të sigurojë bashkërendimin e punës së institucioneve, por në të njëjtën kohë nuk duhet të cenojë rregullin e rëndësishëm "Çek end balance".


"Që nga viti 1992 dhe në të pastajmen, me gjithë përparimet dhe arritjet, ende vihen re tendenca jo të pranueshme, bile, në disa raste të rrezikshme, për t'iu kthyer disa gjërave mbrapsht. Mendoj se problemet e ndërtimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së demokracisë janë një detyrë e rëndësishme e shoqërisë civile", - tha ai.


Ish-presidenti Moisiu shtoi se Shërbimi Informativ është një nga institucionet bazë të funksionimit të shtetit demokratik.


"Si President dhe njeri me aktivitet të gjatë në shërbim të shtetit shqiptar dhe integrimit euroatlantik, e di, e njoh dhe e çmoj shumë rëndësinë që ka ekzistenca e një shërbimi sekret profesional, të pavarur, me integritet ligjor dhe të besueshëm në raport me partnerët tanë ndërkombëtar.


Unë ndjehem mirë që gjatë mandatit tim presidencial ia dolëm ta shndërrojmë SHISH-in nga një institucion me interferenca partiake të radhës në një institucion kushtetues, jashtë partive politike dhe në shërbim të ligjit e shtetit. Ky fakt është pranuar si nga qeverisja e majtë ashtu edhe nga qeverisja aktuale e djathtë", - tha ai.


Pikërisht dje, Moisiu ndjeu të nevojshme që të ritheksonte nevojën që reforma dhe drejtimi pozitiv të mos vihen në asnjë rast në dyshim dhe të mos lejohet, që për asnjë motiv e arsye politike të momentit të merren vendime të njëanshme, që mund të venë në diskutim integritetin profesional, të pavarur dhe kushtetues të shërbimit sekret. "Kohët e fundit janë dhënë disa mendime në lidhje me ndryshimet e reja ligjore në legjislacionin mbi SHISH, personalisht i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe me shqetësim.


Mendoj se jo çdo ndryshim është reforme dhe jo çdo ndryshim ligjor sjell rezultate pozitive dhe i shërben vetë institucionit", - tha ai. Ish-presidenti shtoi gjithashtu se është detyrë e figurave publike që të reagojnë kur shtete strategjike aleate dhe institucione, ku ne aderojmë shprehin shqetësime publike dhe bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje e transparencë ndaj një parlamenti që hesht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›