E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: BSH, ul me 0.25 % normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë ul me 0.25 përqind normën bazë të interesit duke arritur në shifrën më të ulët në histori, 3.5 përqind.

Ndërsa ka paraqitur raportin mujor të këshillit mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Ardian Fullani ka theksuar se ulja e normës bazë krijon kushte më të mira për rritjen e kërkesës agregate.

Sipas tij, lehtësimi i politikës monetare faktorizon pritjet për një politikë fiskale të përmbajtur dhe krijon hapësira për korrektim të shpejtë e me kosto më të ulët për financat publike.

Gjithashtu Fullani u shpreh se është forcuar stabiliteti financiar në vend ndërsa inflacioni i nivelit të dytë rezulton të jetë 2.2 përqind.

Sipas Fullanit gjatë muajve në vazhdim do të ketë një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik ndërsa stimuli fiskal do të mungojë gjatë muajve të ardhshëm të vitit.

I pyetur në lidhje me deklaratat e kryeministrit të ardhshëm Edi Rama për audit ndërkombëtar, Fullani u shpreh se është detyrë e qeverisë së re të marrë informacione në lidhje me financat e vendit.

“Instrumentat e brendshme dhe të jashtme janë të domosdoshme.  BSH ndihet  shumë komfort sepse kjo është bërë dhe do të bëhet. Është një detyrë e qeverisë së re që të njihet me financat e vendit. Qeveria është e mirëpritur të marrë informacion nga Banka e Shqipërisë . Me rëndësi është angazhimi  i qeverisë për të ndërtuar një infrastrurë të qartë funksionale dhe transparente në lidhje me mbledhjen e të dhënave” tha Fullani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›